Vdekja e Navalnit- Enver Bytyçi: E çuan në Siberi për ta eliminuar

Aleksei Navalni, opozitari dhe një nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus Vladimir Putin, ndërroi jetë të premten në rrethana ende të panjohura. Navalni po qëndronte prej më shumë se 300 ditësh i burgosur. Në vazhdën e dënimit 19 vite për “ekstremizëm”, në fillim të shkurtit ai ishte mbajtur në izolim për 10 ditë. Bashkimi Europian fajësoi shtetin rus për vdekjen e politikanit rus.
Për të folur mbi këtë temë i ftuar në studion e emisionit “Jetë Shqiptare” në RTSH, analisti dhe historiani Prof.Dr. Enver Bytyçi u shpreh se Navalnin e dërguan në Siberi për ta eliminuar. Për më tepër analisti theksoi se diktatura mbijeton nëpërmjet dhunës dhe terrorit duke e përdorur për ti dhënë mësim të tjerëve.
“Vrasja e Navalnit është e paralajmëruar që kur ai ka hyrë në politik, është paralajmëruar qe ne vitin 2021 që kur u helmua. Është kuruar në Gjermani dhe me vullnetin e tij personal është rikthyer në Moskë. Është rikthyer për të vazhduar rezistencën, kjo do të thotë se ai ka qenë pa kompromis, i pa komandueshëm nga diktatura por fakti që e dërguan në Siberi dhe e dënuan me 19 vite burg dëshmon se atje ka shkuar për tu eliminuar për arsye se në Siberi askush nuk do të gjurmohej dhe të hulumtojë se çfarë ka ndodhur me rastin. Ka pasur një projeksion dhe deri sa ka pasur një të tillë ka pasur një skenar që në momentet e fillimit deri në fund.
Eliminimi i tij lidhet me ato shkaqe për të cilat ne folëm, diktaturat nuk duan opozitë apo kundërshtarë politik të vendosur dhe pa kompromis, diktaturat janë instrument që mbijetojnë vetëm nëpërmjet dhunës dhe terrorit dhe e përdorin që tu japin mësim të tjerëve me qëllim që të evitojnë lindjen ose rilindjen e Navalve të ri, është karakteristike e diktaturave”, tha analisti Enver Bytyçi.
/rtsh.al/