Vdekja e dasmoreve, hetim për përzierje helmesh

Shtëpia e familjes Gega, ku ka ndodhur ngjarja
Dyshime për përzierje të disa helmeve në dhomën ku u gjendën të vdekura dy dasmore, ndërsa vetë nusja mbijetoi pas 24 orësh terapi intensive në reanimacionin e QSUT-së, në Tiranë.
Policia e Qarkut të Durrësit, nga hetimet e kryera në fshatin Dukagjin i Ri (Thumanë) në Krujë, doli në konkluzionin paraprak se toksikimi i tri grave dyshohet se ka ndodhur si pasojë e dy helmeve kryesore; barit (helm) kundër miut dhe fostoksinës.
Gjithashtu, dyshohet se këto helme mund të kenë shtuar ndikimin e tyre edhe për shkak të produkteve të tjera, siç janë: ilaçi i përdorur për pastrimin e dyshemesë dhe sendeve të tjera në dhomë, produktet e kozmetikës së nuses së re, si llaku i flokëve, aroma të ndryshme për rroba apo parfume.
“Specialistët që kanë këqyrur dhomën ku u gjetën gratë e toksikuara, Mrika Gega, 45 vjeçe, Pashke Gega, 21 vjeçe dhe Prenusha Prendi, 55 vjeçe, kanë vënë re një sasi të madhe bari kundër molës të përdorur për pajën e nuses, një rit i vjetër ky në vendin tonë. Gjithashtu, pranë derës së dhomës është gjetur një tjetër sasie bar miu. Mësohet se paja ndodhej prej disa ditësh brenda dhomës dhe do të transportohej ditën e djeshme, kur 21-vjeçarja Pashke Gega do të dilte nuse nga shtëpia e saj drejt banesës së dhëndrit”, bëjnë me dije burime nga grupi hetimor, ndërsa shtojnë se bari i miut ka qenë i shpërndarë edhe nëpër dhomat e tjera të shtëpisë dykatëshe.
“Kombinimi i këtyre dy helmeve, së bashku me ndonjë produkt tjetër aciditeti në ilaçet larëse apo produktet e tjera të kozmetikës së nuses, mund të kenë shkaktuar një reaksion të shpejtë vdekjeprurës”, shtojnë ekspertët e hetimit.
(Lexoni me gjeresisht sot ne Panorama)