Ilir Meta: Ëndrra jonë, Shqipëria e vërtetë evropiane
Mbyllet me imazhin e suksesit Konventa Kombëtare - LSI miraton statutin dhe platformën politike
2209 delegatë votuan për anëtarët e rinj të Komitetit Drejtues Kombëtar si dhe miratuan propozimet për ndryshimet në programin politik të LSI-së si dhe në statut. Një nga risitë e Konventës së LSI-së ishte edhe aplikimi i votimit elektronik, i cili rezultoi i suksesshëm
Konventa Kombëtare dy ditore e Lëvizjes Socialiste për Integrim mbylli dje punimet, me miratimin e ndryshimeve në statut dhe të programit të kësaj force politike për 4 vjeçarin e ardhshëm. Për herë të parë në vendin tonë, LSI aplikoi në votimet e saj në Konventën për zgjedhjen e forumeve të reja drejtuese, votimin elektronik i cili rezultoi një proces i suksesshëm, duke tejkaluar çdo parashikim.
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta në fjalën e tij përmbyllëse të konventës, ka vlerësuar ndryshimet në statut për barazinë gjinore dhe uljes së moshës së anëtarësimit në këtë forcë politike si dhe miratimin e platformës politike e cila në thelb ka zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas tij, kjo tregon se fryma e LSI-së është që ta çojë vendin me shpejtësi drejt ritmeve të larta të zhvillimit, drejt ritmit evropian.
“Dua të përgëzoj grupin e punës për programin sidomos për çështjet ekonomike dhe dua të theksoj se për LSI-në punësimi mbetet prioriteti më i rëndësishëm, më i madh. Natyrisht krahas garantimit të rritjes së mëtejshmes ekonomike, por ajo që është thelbësore për LSI-në, edhe në raport me Partinë Demokratike, është se kjo rritje ekonomike duhet të shkojë në radhë të parë në interes të rritjes së punësimit në vend. Sepse kjo krizë e jashtëzakonshme që ka përfshirë Evropën, që ka përfshirë vendet tona fqinje dhe partneret tona kryesore ekonomike dhe tregtare. Absolutisht që kërkon vazhdimin e projekteve në infrastrukturë, pasi edhe infrastruktura është e rëndësishme në një plan afatgjatë. Por sidomos në muajt që vijnë dhe në vitet që vijnë po duket qartë se kjo krizë do të vazhdojë dhe presioni i saj do të jetë edhe më i madh, është e domosdoshme që kjo rritje ekonomike që do të sigurojmë, që do të jetë e qëndrueshme të shkojë në radhë të parë në interes të hapjes së vendeve të reja të punës”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së vlerësoi edhe ndryshimet statutore, duke zbritur moshën e anëtarësimit në këtë forcë politike nga 18 në 16 vjeç.
Një tjetër ndërhyrje në statut lidhet me barazinë ligjore. LSI është forca e parë politike që garanton barazinë ligjore në të gjitha forumet e saj.
“Ne sot kemi një LSI më të re falë edhe ndryshimit statutor që e zbriti moshën për tu anëtarësuar në LSI nga 18 në 16 vjeç. Dhe unë mendoj se kjo është tërësisht e drejtë. Është tërësisht e motivuar për një forcë si LSI, një forcë e së ardhmes, një forcë që bazën kryesore dhe të gjithë frymëzimin e saj por edhe të mbështetjes së saj e ka tek rinia, e ka te shpresat, te ëndrrat e saj për të ardhmen. Dhe ata do të jenë edhe më pjesëmarrës në të gjitha vendimet e rëndësishme që LSI do të marrë në të ardhmen. Një arritje shumë e rëndësishme mendoj, një hap maksimal, sepse më tej nuk mund të shkojnë, sepse duhet të marrim masa në statut për të mbrojtur të drejtat e përfaqësimit të burrave, është vendimi për të garantuar një barazi të plotë gjinore në forumet e LSI-së. Sigurisht, që ky është një hap i rëndësishëm, është një hap madhor, është një hap i cili do të jetë i plotë përgjatë këtyre tre-katër viteve deri në konventën e ardhshme zgjedhore”, tha Meta.
Ndërkaq, kreu i LSI-së theksoi më tej se vendi ka shënuar ndryshime të rëndësishme social-ekonomike, por e rëndësishme mbetet vijimi i reformave që garantojnë rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë.
“Kjo situatë nuk mund të përballohet as duke qëndruar mbi realitetin por kjo situatë as nuk mund të përmirësohet duke e nxirë këtë realitet dhe duke u përpjekur për të rritur dëshpërimin e shumë e shumë qytetarëve shqiptarë të cilët absolutisht që nuk kanë nevojë për këtë gjë, por kanë nevojë për një alternativë që jep shpresë, që i ndihmon, që u jep dorën për të dalë nga kjo situatë e vështirë dhe për të ecur të sigurt drejt një të ardhme më të mirë. Kjo është filozofia e LSI-së, kjo është edhe rezultat i kësaj eksperiencë tre vjeçare në qeverisjen e vendit. Vetëm duke i bërë këto forume gjithnjë e më aktive, duke luftuar formalizmin dhe fiktivitetin, duke u hapur ndaj kritikave dhe ndaj debateve, ne do të arrijmë të përmirësojmë vetveten. Kjo është sfida më e rëndësishme e atyre që duan të ecin përpara, të përmirësojnë vetveten, të mos vetëkënaqen, të ecin me ritmin e më të rinjve, të ecin me ritmin e 18-20 vjeçarëve, të atyre që kanë lindur pas vitit 1990, të atyre që shohin vetëm përpara, që kanë vetëm një ëndërr: Shqipërinë e vërtetë evropiane”, theksoi më tej kreu i LSI-së.
Meta: Procesi transparent, pjesëmarrje masive në votim
Në një prononcim për mediat pas votimit për këshillin drejtues, kreu i LSI-së Ilir Meta e ka cilësuar procesin si transparent ndërsa ka theksuar se në votim ka një pjesëmarrje masive. “Ka një pjesëmarrje masive por është të një proces tepër transparent dhe i shpejtë sepse gjysmë ore pas përfundimit të procesit do të printohen edhe rezultatet e para. Dhe është një proces modernizmi pasi kjo metodë që do të ndodhë në qarkun e Fierit në 2013.
Është tepër e rëndësishme të ecet drejt këtyre votimeve sepse ka transparencë dhe i orienton në shumë pozitive zgjedhësit”, tha Meta.
I pyetur në lidhje me një koalicion me PDIU-në, Meta u përgjigj se një vendim i tillë do të merret nga Konventa. “Unë e bëra të qartë se koalicioni vendoset në kohën e duhur dhe ky vendim do të jetë pronësi e kësaj konvente dhe jo e kreut të partisë. Ne do të bashkëpunojmë me PDIU-në për të çuar përpara njohjen dhe zgjidhjen e çështjes çame ashtu si edhe do të bashkëpunojmë edhe forcat e tjera politike për integrimin e vendit”, tha Meta.
Ndryshimet në Statut
Sipas ndryshimeve në statutin e LSI, gjysma e anëtarëve të forumeve të kësaj partie do të jenë gra e vajza, ndërsa anëtarësimi në LSI me të drejtë vote mund të behet që në moshën 16 vjeçare. Një ndryshim ky i propozuar nga LRI. Sikundër do të shprehej Ilir Meta, me ndryshimet statutore, LSI sot është edhe më e re, pasi baza e saj është tek rinia dhe ëndrrat e saj për të ardhmen. Ndër ndryshimet më të diskutuara për në statutin e Lëvizjes Socialiste për Integrim ishte sanksionimi që 50 për qind e të gjitha forumeve drejtuese të jenë femra. Gjithashtu, konventa miratoi ndryshimin që drejtuesit e organizatave të LSI-së në diasporë.
Platforma politike
Objekti shumë i rëndësishëm i ditës së dytë të punimeve të Konventës, ishin ndryshimet që u miratuan për programin politik të LSI-së si dhe për statutin.
Ndryshimet për programin i prezantoi para delegatëve nënkryetari i LSI-së, i cili ishte njëherazi drejtues i grupit të punës për ndryshimet në programin politik, Edmond Haxhinasto. Pasi prezantoi të gjitha ndryshimet Haxhinasto e hodhi në votim propozimin dhe 2209 delegatët votuan unanimisht “pro” këtij programi të ndryshuar politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Mesazhi i shkrimtarit Dritëro Agolli
Forumin më të lartë të LSI-së, e ka përshëndetur edhe shkrimtari i madh Dritëro Agolli.
Në mesazhin e tij, Dritëro Agolli denoncoi atë që e quajti, mikrobi i shumë-fjalësisë, ku sipas tij për një çerek shekulli dëgjojmë ata që bëjnë të njëjtën hyrje në fjalime, arrogante dhe mendjemadhe. “Mendoj se mikrobi i shumëfjalësisë më ka infektuar nga ata që kanë një çerek shekulli që në fjalimet e tyre, bëjnë të njëjtën hyrje, ose arrogante ose mendjemadh. Francezët thonë: ekstremet puqen. Domethënë arroganca të shpie në mendjemadhësi dhe mendjemadhësia në arrogancë. Ju të dashur delegatë, mbrohuni nga këto dy vese që gjymtojnë kulturën e demokracisë. Sharjet, thashethemet shpifjet, ndërhyrjet në jetën intime, kërcënimet për burgosje madje edhe për vrasje që bëhen në parlament dhe që duartrokiten ose dhëmbëzbardhësohen, janë pisha të ndezura që i vejnë flakën shoqërisë. Dhe nuk janë qirinj të ndezur për qetësi dhe paqe”.
Votimi për Komitetin Drejtues, sot rezultatet
Procesi i votimi për anëtarët e Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Socialiste për Integrim u përmbyll dje në mesditë, pas votuan të gjithë delegatët me të drejtë vote.
Në një komunikim me mediat menjëherë pas këtij momenti, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, pasi njoftoi mbylljen e procesit shumë të rëndësishëm të votimi i cili ishte nëpërmjet nj teknologjie të lartë paralajmëroi gjithashtu që edhe numërimi i votave u bë po elektronikisht.
Ndërkohë kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në LSI, Klajda Gjosha, tha se nga 2209 delegatë kanë votuar 2107 prej tyre dhe në përqindje do ta përktheja rreth 94 për qind.
Pritet që rezultatet e votimit për forumet drejtuese të LSI-së të dalin sot.
Haxhinasto: LSI vizion të qartë për sfidat e zhvillimit ekonomik
Lëvizja Socialiste për Integrim, (LSI) ka një vizion të plotë dhe të qartë për zhvillimin ekonomik e social të vendit me synim përballimin e sfidave për integrimin e vendit drejt BE-së. Kështu deklaroi nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, të dielën gjatë punimeve të Konventës Kombëtare Zgjedhore të LSI-së në Tiranë, duke nënvizuar se “zhvillimi i qëndrueshëm i vendit dhe perspektiva evropiane mbeten faktorë kyç në vizion ekonomik të LSI-së”.
Sipas tij, objektivat e qarta të LSI-së për ekonominë e vendit, janë garanci për një të ardhme të sigurt në prodhimin e energjisë dhe ruajtjen e mjedisit. “Në programin tonë ne do të mbështesim zbatimin e projektit TAP, si një prej iniciativave më madhore që nxit zhvillimin shumëdimensionale të ekonomisë tonë. Ndërkohë që prioritet do të marrë mbështetja e industrisë përpunuese dhe asaj nxjerrëse të mineraleve. Bujqësia, sektori që jep kontribut të madhe në GDB e vendit, kërkon një qasje me politika të reja, që synojnë mbështetjen me impute dhe nxitjen e agro-përpunimit. Por jo vetëm kaq theksoi Haxhinasto, në politikat e LSI-së, bujqësia dhe agro-industria mbeten sfida të zhvillimit rural të vendit për të cilat, LSI ka projektuar strategji efikase dhe të drejtë për drejta në mbështetje të fermerit, prodhimit bujqësor të vendit dhe biznesit së industrisë agro-ushqimore”, tha Haxhinasto.
Një nismë e madhe tha ai, është dhe përqasja sektoriale e cila do të trajtojë sektorët ngushtësisht me politika të mirëfillta integruese. Turizmi ,do të jetë përfituesi kryesor që do të konkurrojë me projekte zhvillimore kompetitive bashkëkohore në të gjithë komponentët e tij.
Ndërsa mbështetje të përqendruar do të adresohet për sektorin fakson, si një sektor potencial që do të orientohet drejt rritjes së vlerës së përqendruar në vend. Themelore, theksoi Haxhinasto, do të jetë politika fiskale dhe punësimi. “Ne kemi një paketë të plotë për nxitjen e biznesit ku politikat tonë do të synojnë shtimin e instrumenteve të reja të financimit, duke filluar nga krijimi i një bankë publike, thithje të fondeve IPA të BE etj”. Duke u ndalur në zhvillimin e Bursës, Haxhinasto tha se, ajo do të jetë një përparësi e dorës së parë për investimet e huaja. Ndërkohë që përgatitja e investimeve publike dhe projekteve të gatshme do të krijojnë lehtësi për investorët e çdo fushe. Gjithashtu, nënvizoi ai, në vizion ekonomik reduktimi i tatimit të vlerës së shtuar për ushqimet apo tatimi mbi pagat e ulëta si dhe investimi për kapitalin njerëzor dhe kualifikimin e tij do të jenë përparësi dhe prioritet për rritjen e mirëqenies njerëzore dhe zhvillimin e vendit”.