Presidentja Jahjaga nuk do të japë dorëheqje

Presidenca e Republikës ka sfiduar subjektet politike që e vunë në majë të pushtetit Atifete Jahjagën, e të cilat tash kërkojnë nga ajo që pa përfunduar mandatin të lëshojë rrugë për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kreut të shtetit, deklarimet në media t`i adresojnë në rrugë zyrtare.
Jahjaga vetë nuk do të marrë kurrfarë iniciative.Arbër Vllahiu, këshilltar dhe zëdhënës i presidentes, ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes së Jahjagës, si akt për t`u lëshuar rrugë zgjedhjeve presidenciale.
“Nuk ka nevojë që vullnetshëm të `lëshojë rrugë` . Procedurat janë të qarta dhe duhet si në çdo rast tjetër të respektohet ligji dhe Kushtetuta”, i ka thënë “Kohës Ditore” Vllahiu.
“Nuk mundet presidenti i një vendi të deklarohet se ai është i gatshëm të dorëhiqet dhe të lëshojë rrugë sa herë ndërron raporti i forcave në Kuvend apo sa herë bëhen marrëveshjet dhe koalicionet e reja ndërmjet partive dhe subjekteve politike”.
Pastaj ka sfiduar subjektet politike që synojnë ta vënë në jetë pikën e marrëveshjes që ia ndërpret mandatin Jahjagës.