E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e policit Selman Lena, nga "vrasje" bëhet "aksident"

Të tjera rreth shkrimit VIDEO/Dosja i kalon Prokurorisë TIRANË - Vdekja e policit Selman Lena në krye të detyrës klasifikohet si aksident rrugor me pasojë vdekjen, duke sjellë ndryshim akuze për Edmir Kolecin, autorin e ngjarjes tragjike dhe për pasojë kalimin e dosjes nga prokuroria e krimeve të rënda në prokurorinë e Tiranës.
 
Burime nga krimet e rënda konfirmuan për A1Report se një akt-ekspertizë e bërë nga policia rrugore ka vërtetuar se mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe drejtimi i automjetit në gjendje të dehur nga Koleci kanë sjellë ngjarjen me pasoja tragjike, ku Selman Lena humbi jetën dhe kolegu i tij Preng Lleshi mbeti i plagosur në gjendje të rëndë në afërsi të kthesës së Kamzës në datën 4 maj 2013.
 
Menjëherë pas aksidentit Koleci u largua nga vendi i ngjarjes duke u arrestaur disa orë më pas në durrës nga një operacion i policisë së drejtorisë së tiranës.
 
Dhe pse Selman Lena u shpall dëshmorë me motivacionin e humbjes së jetës në krye të detyrës, uniformat blu të policisë rrugore kanë vlersuar se vdekja e kolegut të tyre ka ardhurs si pasojë e një aksidenti rrugorë.
 
Në këto rrethana pritet formulimi zyrtarisht nga prokuroria e tiranës për akuzën e re që do të ngrihet ndaj Kolecit, ku i vetmi konfirmim i deri më tani është fakti se krimet e rënda këtë dosje e kanë dërguar pranë prokurorisë së Tiranës, pasi rezultati i ekspertizës nga ekspertët rrugorë sjell moskompetencë të kësaj ngjarje për prokurorinë e krimeve të rënda.
 
Polici Selman Lena u shpall dëshmor, pasi humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa 3 javë më pas kolegët e tij të policisë rrugore në ekspertizën e tyre e vlerësojnë ngjarjen si aksident me pasojë vdekjen. Prokuroria e Krimeve të Rënda kalon dosjen në organin e akuzës së kryeqytetit, ku pritet që i arrestuari për ngjarjen, Edmir Koleci të përballet me një akuzë të re.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›