E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e tretë

Ende pa filluar mirë vera, Kosova shënon viktimën e tretë nga pickimi i rriqrave. Të dielën në mbrëmje në Klinikën Infektive në QKU ka ndërruar jetë një person nga komuna e Rahovecit. Mjekët dyshojnë se ai ka vdekur nga ethet hemorragjike. Derisa gjendja e pacientëve të shtrirë në këtë klinikë, sipas infektologut Sali Ahmetit, është pjesërisht e mirë. Ahmeti tregon se të dielën rreth orës 23:30 ka ardhur një rast, ku mjeket kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij. “Klinikisht ka qenë shumë bindës për ethet hemorragjike”, shton ai.

Ahmeti tregon se këtë vit, virusi është bërë edhe më agresiv sesa viteve paraprake. Madje ai e krahason vitin 2010 me atë të 2001. “Kjo i ngjet epidemisë së vitit 2001, kur kemi pasur 7 raste vdekjesh”, shton Ahmeti.

Temperaturat e luhatshme që po mbretërojnë në Kosovë, krijojnë parakushte ideale për shumimin e rriqrave. Derisa muaji qershor dhe korrik konsiderohen si muajit kur shënohen më së shumti raste të pickimit të rriqrave.

Ahmeti rrëfen se në Klinikën Infektive janë shtrirë shumë raste të prekur nga pickimi i rriqrave. Gjendjen e tyre shëndetësore ai e përshkruan si shumë të rëndë.

“Ne kemi raste të të sëmurëve, janë shumë rëndë, ku përfundimi mund të jetë shumë i keq”, tregon ai. Sipas Ahmetit, shumica e pacientëve nuk kanë shenja të pickimit të rriqrave, derisa simptomat janë të njëjta. Ky dhe ndryshime të tjera të virusit janë duke shqetësuar infekteologët në Kosovë.

“Rriqrat pas pickimit nuk japin dhimbje dhe pacienti nuk mund ta ndiejë. Por a është vetëm kjo mënyra e shpjegimit, është dikutabile”, vlerëson ai.
Ahmeti thekson se zhdukja e rriqrave në zonat endemike është shumë e vështirë dhe kërkon angazhim më të madh institucional. “Nuk mundet këtë luftë ta fitojë vetëm mjekësia. Duhet të jetë program qeveritar dhe kombëtar. Është një virus që dallon prej shtameve regjionale. Ka një agresivitet shumë më të madh”, thekson ai.

Ndërkohë, në mesin e shumë pacientëve ka edhe fëmijë. Ndonëse banorët, sidomos të Malishevës, janë vetëdijesuar gjatë viteve në luftën kundër rriqrave, edhe më tutje çdo ditë regjistrohen raste të reja të pickimit.

Ahmeti po ashtu thotë se këtë vit nuk është shënuar asnjë rast ku banorët kanë larguar vetë rriqrat nga trupi. Sipas tij, në vitet e shkuara praktika të tilla i kanë kushtuar shumëkujt me vdekje.

“Banorët janë shumë të vëmendshëm. Ata kanë informacione të duhura. Dinë si të gjenden ndaj rasteve. Këtë vit nuk kemi pasur asnjë rast me tentativë joprofesionale të largimit të rriqrave”, shton ai.

Qytetarëve të zonave endemike edhe më tutje iu sugjerohet që të mos ecin këmbëzbathur nëpër natyrë, mundësisht të përdorin rroba të bardha për çdo aktivitet në fushë dhe për çdo mbrëmje të kontrollojnë trupin në mënyrë gjenerale dhe të pastrohen.

Vendet më të prekura në Kosovë nga rriqrat janë Rahoveci, Klina, por kampione mbetet Malisheva. Në këtë vend vitin e kaluar numri i të thumbuarve nga rriqrat ka kaluar numrin 200.

Nëse pas 3 deri 12 ditëve pas pickimit të rriqrave te personi i pickuar shfaqen shenjat e etheve hemorragjike, siç është vjellja, temperatura e lartë, kokëdhembja, dhimbja e barkut, atëherë dyshohet se ka të bëjë me këtë sëmundje. Ajo mund të shërohet vetëm nëse zbulohet herët, përndryshe është vdekjeprurëse.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›