E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekjet nga H1N1, mjekët: Popullata të ruajë vigjilencën

Rasti i fundit i vdekjes së 18-vjeçares shtatzënë, e cila vdiq mbrëmjen e së mërkurës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nga gripi i derrit, ka shtuar alarmin e institucioneve shëndetësore dhe mjekëve, të cilët bëjnë thirrje për më shumë vigjilencë. Sipas tyre, tashmë virusi i gripit të derrit dominon në popullatë, ndaj duhet rritur vigjilenca për ta trajtuar atë në kohë dhe sipas këshillave mjekësore.
Mjekët
Duke iu referuar rastit të 18-vjeçares, mjekët e spitalit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë deklarojnë: “Nuk arritëm të shpëtonim jetën e fëmijës 8 muajsh te nëna shtatzënë që humbi jetën të mërkurën nga gripi i derrit, pasi 18-vjeçarja prej tri ditësh ishte në gjendje kome”.
Sipas mjekëve, nuk kishte asnjë mundësi shpëtimi për foshnjën. “Në këto kushte një ndërhyrje kirurgjikale për të shpëtuar fëmijën do të ishte e rrezikshme. Në kushtet kur nëna është në gjendje kome në 90% të rasteve fëmijët nuk arrijnë të mbijetojnë”, - deklaruan mjekët.
Specialistët pohojnë se përvoja ka treguar se bebet në muajin e 8-të nuk mbijetojnë në kushtet kur nëna është në koma. Madje, mjekët shpresonin në një përmirësim të gjendjes së saj që të mund të shpëtonin si nëna dhe fëmija i saj, por fatkeqësisht ndodhi e kundërta. 18-vjeçarja nga Kuçova që humbi jetën si pasojë e virusit A/H1N1 prej gjashtë ditësh mbahej në terapi intensive dhe se tri ditët e fundit ajo kishte hyrë në koma. Gruaja dhe foshnja në barkun e saj janë konsideruar zyrtarisht si viktima numër 5 nga gripi i derri në vendin tonë. 18-vjeçarja përfundoi në infektivin e QSUT-së, pasi u kurua për tri ditë në spitalin e Beratit.
Situata
“Jemi në sezon gripi dhe rreziku nga gripi A/H1N1 nuk ndryshon nga gripi stinor, ndaj përsërisim apelin që popullata të rrisë higjienën personale dhe të marrë trajtimin e duhur sapo të shfaqë probleme shëndetësore. Mund të themi se ne si sistem shëndetësor kemi rritur vigjilencën, po ndërgjegjësojmë mjekët për situatën e krijuar, por duhet që popullata ta marrë seriozisht situatën dhe të mos neglizhojë shëndetin”, - shprehen mjekët. Ndërkohë, specialistët ripërsërisin faktin se ka një rënie të fluksit të shtrimeve në spital dhe se kjo periudhë është maksimumi i rasteve që ka agresivitete nga virusi A/H1N1. Ndërkohë që drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, thotë se ekziston një mendim i përgjithshëm i ekspertëve se virusit i kanë mbetur edhe 6 javë nga qarkullimi i tij, por nuk dihet se kur ai do të rikthehet sërish tek ne. Sipas të dhënave më të fundit nga ISHP, numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me virusin A/H1N1 deri të mërkurën është 334. Mosha mesatare e rasteve të prekura në total është 23 vjeç. Shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë.

Vështirësi në transport

Vaksina kundër gripit të derrit mbërrin sot

“Vaksina ndaj gripit të derrit në vendin tonë do të mbërrijë sot nga Hungaria. Janë rreth 10 mijë doza, të cilat do të shpërndahen në Tiranë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në repartet intensive të saj si dhe në sanatorium”. Kjo deklarate u bë nga drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. “Unë besoj që vaksinat e para ndaj gripit pandemik A/H1N1 do të mbërrijnë sot. Vijnë 10 mijë dozat e para. Ka një plan dërgese nga kompania në të cilën janë prenotuar vaksinat në Hungari. Në javët në vijim pritet të vijnë me nga 10 mijë dozat e tjera të vaksinës, kjo edhe për shkak të kapacitetit prodhues të kompanisë, po ashtu dhe për mundësitë e transportit”, - tha Pipero.

Elbasan

Studentët e Infermierisë refuzojnë praktikën në spital

Paniku nga virusi A/H1N1, i cili ka përfshirë studentët e Infermierisë të Universitetit të Elbasanit, ka bërë që këta të fundit të bojkotojnë praktikën mësimore në ambientet e njërës prej godinave të spitalit, ku në katin e parë ndodhet reparti i infektivit. Dhjetëra studentë kanë qëndruar poshtë godinës, duke mos pranuar të hyjnë në spital, ku ishte planifikuar të zhvillonin praktikën mësimore. Është dashur ndërhyrja e pedagogëve, por edhe e mjekëve për të sqaruar studentët e Universitet “Aleksandër Xhuvani” se nuk ka vend për panik. Aktualisht, në spitalin infektiv të Elbasanit nuk ka asnjë person të shtruar të dyshuar si mbartës te virusit të gripit të derrit. Po ashtu, bluzave të bardha u është dashur të sqarojnë se në ditët e mëparshme 30 raste që u paraqitën në këtë spital si të dyshuar me gripin e derrit, pas analizave përkatëse dyshimet rezultuan negative. Pasi kanë bojkotuar mësimin për 20 minuta, studentët kanë hyrë në spital për të zhvilluar normalisht praktikën mësimore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›