Gripi i derrave, shkakton viktimën e pestë
17/12/2009 Kurimi, 18 vjeçarja shtatzënë prej 6 ditësh ndodhej në terapi intensive
Shënohet viktima e pestë nga virusi i gripit të derrave në vendin tonë. Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë kanë konfirmuar gjatë ditës së djeshme se pacientja 18-vjeçare shtatzënë nuk ka mundur t’i rezistojë trajtimit mjekësor. “Ishte në muajin e tetë të shtatzënisë, një infeksion nga gripi te kjo grua nuk u përballua dot me gjithë ndërhyrjen e specializuar”, - ka deklaruar drejtori i përgjithshëm në MSH Pëllumb Pipero. Sipas tij, viktima prej gjashtë ditësh ishte shtruar pranë spitalit infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku po mbahej në repartin e terapisë intensive. Pavarësisht dhënies së ndihmës së specializuar, gjendja e saj shëndetësore paraqiste komplikacione të rënda. Ndërkohë pak ditë më parë janë shënuar brenda së njëjtës ditë edhe tri viktima të tjera të moshave të ndryshme, të cilat vuanin edhe nga sëmundje kronike.
Kujdesi
Aktualisht në vendin tonë numërohen rreth 334 pacientë të prekur nga virusi i gripit të derrave. Ndonëse pohohet zyrtarisht se ka rënë fluksi i përhapjes së këtij virusi, i cili arriti kulmin në fund të muajit nëntor dhe në fillim muajit dhjetor, specialistët e shëndetësisë kërkojnë kujdes maksimal për kategoritë më të rriskuara. Konkretisht bëhet fjalë për të sëmurët kronikë, për fëmijët dhe gratë shtatzëna, të cilat mund të mbartin pasoja të rënda shëndetësore, nëse do të preken nga ky virus. Gjithashtu edhe organizata Botërore e Shëndetësisë i ka konsideruar gratë shtatzëna një ndër kategoritë më të rriskuara nga prekja e këtij virusi, ndaj dhe është kërkuar vaksinimi urgjent i tyre, në të kundërt minimizimi i pasojave fatale për jetën mund të jetë shumë i vështirë. Për të minimizuar komplikacionet e rënda shëndetësore është e domosdoshme që kategoritë e përmendura pak më lart, në çdo rast që shfaqin shenja klinike, qoftë edhe të një gripi të zakonshëm, të kërkojnë ndihmën mjekësore, pasi rastet e infektuara me influencë stinore apo me gripin e zakonshëm janë shtuar me ritme të shpejta.
Infektimi
Mjekët pohojnë se infektimi nga virusi i gripit të derrave mbart shenja klinike të ngjashme me ato të gripit sezonal, duke filluar nga temperatura e lartë, kolla, zakonisht e thatë, dhembje koke, dhembje muskujsh, artikulacionesh, dobësi, rrjedhje të hundëve. Në raste të caktuara personat e prekur kanë ethe dhe brenda një jave kanë probleme, nëse nuk trajtohen. Koha e inkubacionit të virusit të gripit mund të shkojë më shumë se tri apo katër ditë, ndërkohë që mund të prekë të gjithë popullatën. Ata që preken më shumë janë personat me probleme të zemrës, mushkri, veshka, pacientët me sëmundje gjaku, me probleme metabolike, si diabeti ose ata me sistem imunitar të dobët.
Rastet e viktimave
Tri ditë më parë janë shënuar edhe tri viktimat e radhës të prekura nga virusi i gripit të derrave. Me përjashtim të njërit prej viktimave, 31-vjeçarit nga qyteti i Vlorës, tre të tjerët vuanin edhe nga sëmundje të rënda kronike, të cilat gjatë rënies në kontakt edhe me virusin A/H1N1 e kanë rënduar gjendjen shëndetësore të pacientit, pavarësisht trajtimit të dhënë. Konkretisht bëhet fjalë për një grua 47-vjeçare nga Shkodra, që vuante nga mushkëritë, hipertensioni dhe hiperobeziteti, si dhe një 51-vjeçar, që vuante nga sëmundjet kronike. Ndërsa viktima e parë që ka shkaktuar ky virus në vendin tonë ishte një burrë 57-vjeçar nga Sukthi, i cili vuante nga sëmundje kronike e veçanërisht nga tumori në prostatë.
Kujdesi për gratë shtatzëna
Gratë shtatzëna janë përfshirë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në listën e grupeve më të rrezikuara, ashtu si dhe të sëmurët kronikë e fëmijët, për t’u prekur nga gripi i derrave. Për të shmangur prekjen nga ky virus, Pipero këshillon marrjen e vaksinës menjëherë sapo të mbërrijë në vend nga kjo kategori. Gjithashtu është e domosdoshme mbajtja e një higjiene tepër të rreptë personale nga gratë shtatzëna, ku kërkohet larja e shpeshtë e duarve me sapun gjatë ditës, mbajtja e shamive para hundës kur teshtijnë, si dhe shmangia e ambienteve të frekuentuara në masë. Gjithashtu këshillohet edhe shmangia e vizitave nëpër institucionet shëndetësore ku mundësia e prekjes është shumë e lartë.