E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pabesia” e Uran Kostrecit

Prej disa javësh ka dalë në qarkullim libri i fundit i Uran Kostrecit, me titull “Pabesia”. Kjo novelë që ka në qendër të saj dy protagonistë, Radomin dhe Agronin, jep në mënyrë të përmbledhur, por shumë të qartë, historinë e vendit tonë nën komunizëm, atë të krahut nacionalist (Radomi) dhe atë të krahut komunist (Agroni). Fakti që na dalin të dy të përndjekur, dhe madje Agroni i vetëvrarë në mbyllje të vuajtjes se gjatë, i flet qartë edhe një lexuesi të brezit të ri, të painformuar me të kaluarën komuniste, dhe për këtë libri është i një dobie të veçantë. Kostreci me atë vendosmëri që i jep vuajtja dhe mospërkulja e tij, kalon përtej të hequrave të veta dhe të rreshtimit të tij, duke zbërthyer komunizmin real në Shqipëri si një kurdisje kundër vlerave tona, dhe kështu merret edhe me fatin e kundërshtarëve të tij ideologjikë për ta demonstruar më mirë. Në këtë mënyrë, ai gjen pikën e dobët të historiografisë sonë butaforike që vazhdon të paraqesë unitete të çelikta rreth partisë, në një kohë kur vetë partia qysh në luftë u krasit rëndshëm dhe në mënyra mafioze, pikërisht me anë të pabesisë të ngritur në sistem komandimi.
Konstreci tek Agroni, një djalë për të cilin shtëpia s’merrte lajme prej vitesh, tipizon fatin e gjithë atyre partizanëve që kishin dalë në mal për të luftuar për liri, por që kishin personalitet dhe forcë morale sa të dallonin mashtrimin dhe të reagonin. Duke lexuar librin, grindjet e forta mes dy kushërinjve për çështje idealesh, ngurtësia e paapelueshme e njërit nën hipnozën e propagandës komuniste dhe kuptueshmërinë e ngrohtë të tjetrit që ruan perceptimin real të gjendjes, pajtimin më vonë mes tyre në kushte të vështira në mal dhe të një zhgënjimi gradual të të gabuarit, solidaritetin e pakusht mes tyre dhe me të rinjtë e rrezikuar kosovarë, ndarja e hidhur sërish për pasojë të zgjidhjeve që kishin bërë fillimisht, dhe përsëri ribashkimin e tyre në ferrin e Vloçishtit, burrërinë e Agronit që hedh poshtë planin për ta përdorur kundër inxhinierëve të pafajshëm të Maliqit, dhe flijimin përfundimtar të tij kur ec drejt telave mbas poshtërimit djallëzor që i punojnë, - të kujtohet tërë tatëpjeta historike e popullit tonë nën klikën komuniste, të kujtohen se si me shkathtësinë agjenturale të komunizmit ndërkombëtar, ajo e ngriti rininë në luftë me parulla të bukura, si e fanatizoi në ekstrem në emër të atyre sloganeve, dhe se si me vrap pastaj, si në një kurth të tipit piramidal kur u inkuadrua e tëra në brigada, i ndau mënjanë veglat e bindura që do të shërbenin pa fjalë, dhe brenda tyre të gatshmit për çdo poshtërsi që do të gradoheshin, dhe në anën tjetër, inteligjentët dhe me karakter që do të eleminoheshin. E tërë kjo qysh në luftë.
Shohim pra te kjo novelë përmbysjen e asaj që është përhapur në opinion (dhe që s’bëhet asgjë zyrtare akoma për të zhbërë) për “armiq” e “agjentë” si Sadik Premtja, Anastas Lulo e shumë të tjerë, i pari i arratisur, të tjerët të vrarë prapa krahëve dhe të njollosur sot e kësaj dite si tradhtarë, dhe që s’ishin tjetër veçse marksistë dhe patriotë të vërtetë dhe që s’qasnin dot tradhtinë që i punohej vendit nga krerët në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Se kur do të ndodhë që kjo përmbysje e gënjeshtrës dhe dalja në dritë e së vërtetës historike do të bartet nga letërsia që na ofron Kostreci me kontributin e tij mjaft të qartë, tek historiografia zyrtare, kjo nuk dihet. Autori me jetën e tij të gjatë në burg është një dëshmitar i pakontestueshëm se si luftëtar i të dy krahëve që patën të njëjtin fat të zi, në më të egrën nga diktaturat e Lindjes. “Pabesia” është titulli më i përshtatshëm për atë që ndodhi, dhe ajo është ushtruar me fort ndaj komunistëve, ndaj dhe nga ata duhet të dalin kontribute që do të hedhin dritë më tepër nga ç’është hedhur për atë që ka qenë vatra e pabesisë. Disa fjalë për formën e novelës. Kostreci njihet prej kohësh si poet. Edhe tani vonë, në 2006 kemi shijuar sonetët e tij, ku brenda për një jetë të mohuar lufton me “kockën” e një stoicizmi që këmbëngul në faktorin që zgjedhjet i ka bërë sipas ndërgjegjes së tij, dhe nuk heq asgjë nga ato. Por, mbi të gjitha shohim tek ai kënaqësinë e aftësisë së tij të natyrshme për të përballuar me varg muzikal dhe me metrikë të pacenuar sintezën që kërkon kjo formë klasike që është soneti, cilado qoftë tema ose shtysa.
Gjuha e tij është krejt personale dhe gëzon për faktin që mbetet një toskërishte e pandikuar nga shumë zvetënime që shohim, do të thosha një dishepull i denjë i Ali Asllanit, megjithëse i ndryshëm për nga personaliteti e lloji i lirikës, përveçse domosdo larg nga njëri-tjetri për nga fati që kanë pasur. Nuk ka dyshim që aftësia kryesore e Uranit, është shprehja sintetike, dhe kjo e bën poet të mirëfilltë. Këtë shprehje të koncentruar e shohim edhe te novela. A do mund t’i kërkonim Uranit që të shtonte edhe analizën? Do të na gëzonte për shembull të kishim prej tij një histori të kësaj rëndësie, dhe sigurisht nga e njëjta periudhë dhe ambientim që i njeh aq mirë, për të parë dhe më me imtësi, vorbullën tragjike që e mori në rininë e tij së bashku me shumë të tjerë shqiptarë që i rezistuan të keqes? Unë besoj se nuk kemi të drejtën t’ia kërkojmë këtë gjë, sepse romani është pronë dhe privilegj i atyre që kanë kushtet të veçohen në një izolim komod, gjë që i është mohuar Uranit. Prandaj duhet ta falënderojmë Uranin për atë që ka bërë, dhe është shumë, dhe njëkohësisht, le të jetë kjo mirënjohje e jona një sinjalizim i shoqërisë dhe administratës shtetërore që të meditojë për më shumë njerëz të pajisur me talent dhe që nuk kërkojnë asgjë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›