E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekshmëria neonatale ka shënuar rënie në Kosovë

Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për gra dhe fëmijë, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, UNFPA-në dhe UNICEF-in, me përkrahjen financiare të Qeverisë së Luksemburgut, ka filluar sot një punëtori tre ditore për të iniciuar auditin e vdekjeve maternale në të gjitha maternitetet e Kosovës.

Kjo punëtori me pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë të OBSH-së, duke u mbështetur në strategjinë globale të OBSh-së “Përtej numrave” (Beyond the numbers) ka për qëllim përcaktimin e faktorëve themelorë që çojnë në vdekje maternale. Synimi është që nga këto vdekje të nxirren sa më shumë mësime dhe përvoja që do të mundësojnë parandalimin e vdekjeve të ngjashme në të ardhmen.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, në hapje të kësaj punëtorie tha se ajo është një rast shumë i mirë që MSH me partnerët që veprojnë në fushën e mbrojtjes së shëndetit të nënës dhe fëmijës t’i qasen një problematike e cila është vënë në prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë, nga prizmi i shëndetit material dhe neonatal.

“Hapat e ndërmarrë janë shenjë e qartë e përkushtimit që kësaj çështje i është dhënë si në aspektin institucional, ashtu edhe në atë profesional”, tha ministri Agani.

Duke rikujtuar faktin se vdekshmëria neonatale ka shënuar rënie në Kosovë, falë qasjes serioze ndaj problemit, por edhe angazhimit të profesionistëve shëndetësor, Agani tha se krijimi i Shërbimit Kombëtar Profesional Gjinekologjik dhe Obstetrik, do të rris edhe më shumë mundësitë e profesionistëve të fushës, që përveç ngritjes së aftësive profesionale dhe cilësisë së shërbimeve, të jenë edhe konkurrent në treg me shërbime cilësore dhe profesionale shëndetësore.

Ekspertja e OBSH-së e strategjisë Globale “Përtej numrave”: Dr. Gwyneth Leëws e ka konsideruar si shumë të rëndësishme punëtorinë e parë mbi shqyrtimin e vdekjeve dhe buzë-vdekjeve materiale duke prezantuar edhe pakete të filozofisë dhe principave prapa shqyrtimit të vdekjeve materiale dhe paaftësive për ta bërë shtatzaninë të sigurt, sikurse edhe hetimin konfidencial të vdekjeve materiale, derisa eksperti tjetër, Dr. Stelian Hodorogea, ka shpjeguar përvojat praktike prej hetimt konfidencial të vdekjeve materiale.

Gjatë një prezantimi për shëndetin material dhe neonatal në Kosovë që u bë nga dr. Merita Vuthaj, shefe e Zyrës për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës, u bë e ditur se më 2012 në Kosovë ka pasur 28525 lindje, ndërsa vdekshmëria perinatale ka rënë në 17.34 promila, ndryshe nga siç ishte në vitin 2000 kur arrinte shkallën në 29 promila.

Në këtë punëtori po marrin pjesë profesionistë të zgjedhur vendor nga Ministria e Shëndetësisë, Obstetrika dhe Gjinekologjia, Anesteziologjia, Mjekësia ligjore, Neonatologjia, Shëndetësia publike, Mjekësia Familjare dhe Agjensionet e KB./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›