Vdes 42 vjeçari në minierën e Batrrës së Martaneshit
BULQIZË. Viktimat në minierat e kromit në pellgun e kromit Bulqizë-Martanesh, nuk kanë të ndalur. Sot është shënuar viktima e rradhës kur një minator ka gjetur vdekjen duke punuar në një prej galerive të nëndheshme në një prej sektorëve të privatizuar në Batërr Martanesh.
Haki Kotja nga Batër Martaneshi vdiq sot aksidentalisht në frontin e punës i zënë nga një masiv i rënë përsipër tij dhe ndodhet në morgun e spitalit të Burrelit. 42 vjecari ka vite që punonte në një nga minierat e Batër Martneshit, sektor ky i privatizuar.
Po në njërin prej këtyre sektorëve të privatizuar para një muaji u shënua dhe një vdekje tjetër nga rradhët e minatorëve, kur vdiç 35 vjecari Përparim Haslika banor po në Krastë të Martaneshit. Edhe ai u zu brenda në galeri nga një masiv material kromi ndërsa po punonte aty.
Sipas minatorëve kushtet e punës në shumë prej galerive të tilla janë krejtësisht të papërshtatëshme duke qenë dhe burim aksidentesh të vijueshme. Janë rreth 35 sektorë të privatizuar që nga viti 1994 në këtë zonë, ndërsa mungojnë kontrollet sistematike për të vëzhguar kushtet dhe sigurinë në punë, kur privatët janë të interesuar vetëm të nxjerrin nga thellësitë e nëntokës sa më shumë mineral kromi.
Edhe para disa vitesh në një minierë të tillë në Klos të Burrelit, po nga mungesa e kushteve të sigurisë në punë gjeti vdekjen një minator. Duket se këto "zgafella" të privatizuara për shfrytëzim minieralit të kromit, janë kthyer në gropa vdekjeje të vazhdueshme për banorët e këtyre anëve të cilëtr futen duke punuar në kushte të pasigurta për të ushqyer familjet e tyre të varfëra, ashtui sic ngjau sot me minatorin Haki Kotja në Batërr Martanesh.
Gjergj Marku