E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes disa orë pas lindjes lehona 22-vjeçare, në hetim mjekët

Korçë- Një nënë e re vdiq disa orë pas një lindjeje normale në maternitetin e Korçës, si pasojë e hemorragjisë. Prokuroria nis hetimin për grupin mjekësor që duhej të kujdesej për të, pas akuzave të familjarëve se gruaja nuk ka pasur kujdesin e duhur dhe se atyre u janë kërkuar para. Erjola Dinoshi, e cila ka sjellë në jetë fëmijën e saj të dytë, ka humbur jetën pas një lindjeje që është cilësuar normale në maternitetin e Korçës. Gruaja 22-vjeçare banore e fshatit Symiz në rrethin e Korçës, ka vdekur gjatë orëve të para të mëngjesit të të premtes. Ajo ishte marrë nën kujdes nga mjeku gjinekolog N.Gurllari. Pas vdekjes së të resë dhe protestave të familjarëve të saj, policia e Korçës ka nisur një hetim të plotë për ngjarjen, ndërsa trupi i pajetë është çuar për një ekspertizë mjeko-ligjore në morgun e spitalit rajonal të Korçës. Babai i vajzës së re tha se kishte folur në telefon me të pak kohë pas lindjes dhe se situata kishte qenë normale: “Më pyeti si je me shëndet ti, se unë jam mirë, kjo ishte biseda e fundit”, tregoi ai ndërsa qante.

Ngjarja

22-vjeçarja Erjola Dinoshi mësohet të ketë mbërritur në spital gjatë orëve të pasdites së të enjtes. Ajo është shtruar për të pasur një lindje pa probleme. Duke iu referuar dëshmive të familjarëve, mësohet se gruaja e re sillte në jetë fëmijën e saj të dytë. Lindja e cila ka qenë normale, pa nevojën e ndërhyrjes kirurgjikale, ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të enjtes, ndërsa 22-vjeçarja ka sjellë në jetë një djalë. Edhe gjatë orëve të natës që pasuan lindjen, viktima nuk ka pasur probleme, ndërsa mëngjesin e të premtes ajo ka humbur jetën. Sipas mjekëve dhe deklarimeve të tyre të para për grupin e hetimit, pacientja ka vdekur nga hemorragjia, ndërkohë që familjarët pretendojnë se për të renë nuk janë kujdesur siç duhet bluzat e bardha, ndërsa është kërkuar dhe ryshfet te këta të fundit për kujdesin mjekësor. Të afërm të viktimës thanë për mediat se situata e gruas ka qenë normale pas lindjes dhe se ajo ka shfaqur probleme gjatë orëve të vona të natës. Ata thanë se mjekët u kishin deklaruar se nuk kishin mundësi të ndalonin hemorragjinë.

Hetimet

Policia e Korçës në bashkëpunim me organin e prokurorisë kanë ngritur një grup hetimor për të zbardhur shkakun e vdekjes së nënës së re, banore e fshatit Symiz në rrethin e Korçës. Ndërkohë, trupi i pajetë i 22-vjeçares ndodhet në morgun e spitalit rajonal të Korçës, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore. Në fakt do të jenë dy ekspertë të dërguar enkas nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në kryeqytet, të cilët do bëjnë ekzaminimin e trupit dhe do të hartojnë raportin përfundimtar për shkakun e vdekjes, duke mos lejuar që këtë gjë ta bëjnë ekspertët e morgut të Korçës. Dyshimet kryesore bien mbi mjekun N.Gurllari, i cili është marrë me trajtimin mjekësor të pacientes që ka dalë e vdekur nga materniteti. Duke iu referuar të dhënave nga policia, mësohet se grupi i hetimit ka nisur të mbledhë dëshmitë e para, ndërsa dy janë pistat ku janë përqendruar hetimet e policisë. Pista kryesore është ajo e vdekjes së pacientes nga pakujdesia, ndërsa po hetohet edhe për akuzën e mitmarrjes. Gjithçka pritet të zbardhet e plotë pas aktit të ekspertizës mjeko-ligjore që do të dalë nga autopsia. Fëmija që ka sjellë në jetë nëna ka shfaqur probleme, duke vënë në lëvizje të gjithë drejtuesit e maternitetit të Korçës, në të cilin do të qëndrojë derisa të ketë një gjendje normale. Kjo nuk është hera e parë që mjekët e Korçës vihen nën akuzë për vdekje pacientësh gjatë mjekimit në institucionet shëndetësore.

Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›