E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes foshnja 12-muajshe, ra në kazan me ujë të valuar

Vogëlushja po lozte në oborrin e shtëpisë kur ka rënë brenda kazanit të mbushur me ujë që valonte mbi zjarr.Sipas hetuesve të çështjes, vajza vdiq si pasojë e pakujdesisë së prindërve. 

ELBASAN- Një vajzë 12-muajshe nga Elbasani humbi dje jetën në mënyrë tragjike. Foshnja ka rënë në një kazan me ujë të valuar që ndodhej në oborrin para shtëpisë. E mitura është dërguar urgjentisht në Spitalin Rajonal të Elbasanit, por me gjithë ndihmën e parë mjekësore të dhënë nga mjekët, vajza nuk ka mundur të mbijetojë. Ngjarja e rëndë u shënua pasditen e djeshme në fshatin Fierzë të zonës së Belshit (rreth 45 kilometra larg qytetit të Elbasanit). Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila pas kryerjes së veprimeve paraprake hetimore ka deklaruar se foshnja humbi jetën aksidentalisht. Sipas hetuesve të çështjes, vajza vdiq si pasojë e pakujdesisë së prindërve.
NGJARJA
Pasditen e djeshme, vogëlushja e familjes Gjoni ishte duke lozur në oborrin para banesës së saj. E ëma kishte vendosur një kazan të madh me ujë të valuar në një cep të oborrit. Në një moment pakujdesie të kësaj të fundit, e bija 12-muajshe ka rënë brenda kazanit të mbushur me ujë që valonte mbi zjarr. E mitura është përvëluar në mënyrë të menjëhershme. Të tmerruar nga skena e tmerrshme, familjarët kanë shpejtuar që ta nxjerrin në çast vajzën e vogël nga kazani. Fatkeqësisht, djegia që kishte pësuar vogëlushja ka qenë fatale për të. Ajo në gjendje kritike është nisur për në qendrën spitalore të qytetit të Elbasanit, por nuk ka mundur të mbijetojë, duke e mbuluar në zi familjen e Lulzim Gjonit. Mësohet se babai i foshnjës që u dogj në kazanin me ujë që valonte, ndodhet në Greqi, ku punon prej vitesh si emigrant
(s.g/GSH/BalkanWeb).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›