Berisha: Ish presidenti çek Havel, frymëzues i përpjekjeve për liri dhe dinjitet

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike mban 1 minutë heshtje në nderim të ish presidentit çek, Vaclav Havel
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike mbajti dje një minutë heshtje, në nderim të shkrimtarit dhe ish presidentit të Çekisë, Vaclav Havel i cili u nda nga jeta dy ditë më parë.
“Kombet ish-komuniste, kombi çek dhe kombet e tjera që përjetuan diktaturat komuniste, kishin tek Vaclav Havel misionarin, frymëzuesin e përpjekjeve të tyre për liri dhe dinjitet por dhe të revolucioneve të tyre paqësore”, u shpreh kryeministri Berisha gjatë fjalës së tij para ligjvënësve demokratë.
Sipas kryeministrit, “Vaclav Havel ishte intelektuali, kryedisidenti i Europës ish-komuniste, i cili në 30 vite disidencë, përjetoi përndjekjen, persekutimin, privacionet, burgosjen por nuk u mposht, qëndroi fuqishëm në besimin e tij tek liria dhe e vërteta, në besimin e tij tek dashuria. Në të gjitha veprat e tij, ai u përpoq tu dëshmojë qytetarëve çek dhe të mbarë botës, absurditetin e regjimit totalitar. Ndaj dhe vetëm pak muaj pasi doli nga burgu ai u shndërrua në udhëheqësin shpirtëror të lëvizjes demokratike të Çekosllovakisë dhe udhëhoqi atë që u quajt revolucioni i kadifenjtë, i butë, paqësor, duke frymëzuar kështu të gjithë popujt e tjerë në rrugën e përmbysjes paqësore të regjimeve totalitare”, deklaroi Berisha. kreu i qeverisë tha se shqiptarët kishin tek presidenti Havel një mik të shquar e të vërtetë.
“Kam pasur rastin ta takoj disa herë. Në takimet e mia ndërkombëtare interesi i tij për Shqipërinë ishte shumë i madh. Për të nderuar kujtimin e Vaclav Havel liderit të shquar të lirisë, shkrimtarit të saj, dramaturgut të saj europian të madh, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje. I paharruar qoftë kujtimi i tij”.