Pinjolli i nomeklaturës s’lejon as autokritikën, përjashton Kastriot Islamin në një mbledhje me dyer të mbyllura, si byroja e Enverit

- Kastriot Islami: Rama është stalinist, nuk pajtohem me eliminimin e figurave historike të PS
- Reagimi i deputetit Islami: “Kjo ngjarje do mbetet në historinë e politikës shqiptare, si njolla më e zezë e PS”
- Taulant Balla: Islami shkeli rregulloren e grupit, Majko e justifikoi
- Nis protesta në Mallakastër, zona elektorale e deputetit Kastriot Islami
UPDATE- Kastriot Islami, një prej figurave më të rëndësishme të së majtës politike, është përjashtuar sot nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Nga dita e sotme, PS do ketë në sallën e Kuvendit një deputet më pak. Kundër votimit për përjashtimin e deputetit të PS, i cili njihet si një nga personalitetet më pozitive të PS, pasi që prej vitit 1992 aderon si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ish kryetari i parlamentit të parë pluralist pas rënies së diktaturës, ish ministër i Jashtëm dhe ish ministër i Financave, votuan 4 deputetë si Arben Malaj, Tom Doshi, Azir Gashi dhe Marko Bello, ndërsa 2 të tjerë abstenuan. Vendimi u mor mesditën e sotme në një mbledhje me dyer të mbyllura, ndërsa kryesia e re e PS, në mbledhjen e saj të premten, i delegoi vendimin grupit parlamentar. Kryetari i grupit Gramoz Ruçi në mbledhjen e kryesisë, u ngarkua që të thërriste deputetin Islami për të sqaruar mungesën e tij, në votimin për kreun e KLSH-së, Bujar Leskaj, në seancë plenare (kujtojmë që në këtë seancë ka munguar edhe deputeti Pandeli Majko, pavarësisht se bëri të njëjtën shkelje, apo edhe vota e z.Malaj për votë “pro” Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani). Kastriot Islami para mbledhjes së grupit parlamentar socialist u njoftua se mbledhja do të mbahet me dyer të mbyllura. Ky i fundit, i cili priti përreth 30 minuta në ambientet e selisë rozë, u largua nga selia e PS-së pas komunikimit të vendimit se mediat nuk do pranoheshin në mbledhje. Z.Islami kishte kërkuar me ngulm që mbledhja të zhvillohej me dyer të hapura dhe në transparencë të plotë ndaj mediave dhe qytetarëve. Duke e cilësuar një ngjarje të rrallë për politikën shqiptare, Islami ftoi mediat në orën 14:30 në Kuvendin e Shqipërisë për t’i komunikuar qëndrimin e tij.
“Sapo me vuri në dijeni Taulant Balla që është diskutuar se kjo mbledhje do bëhet me dyer të mbyllura. Kjo është ngjarje speciale, ndodhi e radhë e politikës shqiptare dhe unë nuk mund ta shpenzoj qëndrimin tim në një sallë të mbyllur. Do ju ftoja në orën 14:30 të i’u bëj publike qëndrimin tim. Pasi nuk isha përgatitur për këtë opsion. Kuvendi është vendi i dytë ku unë mund të shpreh vendimin tim”- theksoi Islami.
Më herët, deputeti Kastriot Islami në një prononcim të shkurtër për gazetarët teksa futej në selinë rozë, u shpreh se kishte vendosur të priste jashtë sallës së mbledhjes së grupit të PS, deri në një njoftim nga partia nëse në diskutimin për të, do të pranoheshin mediat apo jo.
“Pra në fillim të mbledhjes zoti Ruçi paraqiti axhendën. Në pikën e fundit sqaroi se ka pasur një çështje të rëndësishme që lidhje me votimin e Leskaj. Kam kërkuar që mbledhja të zhvillohet e hapur. I kërkova derisa çështja të zgjidhet të pres pak kohë këtu jashtë. Pasi Rama do sqaroi deputetët me këtë çështje. Fjalimin e kam këtu të gjatë për mediat, kolegët dhe shqiptarët. Nuk përgjigjem tani pasi do shpërqendroja gazetarët në lidhje me qëndrimin tim”- theksoi Islami. Pas marrjes së vendimit, z.Islami doli para mediave për të komunikuar qëndrimin e tij ndaj këtij vendimi jo normal. “Isha përgatitur për të qenë i pranishëm në mbledhjen e grupit parlamentar. Kisha kërkuar që seanca e mbledhjes të ishte e hapur, për shkak se ngjarja është e rrallë për klasën politike. Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura, në mungesë të atij për të cilin u mor vendimi. Nuk mu dha mundësia as për të bërë autokritikë, siç u bë para 30 vitesh me Mehmet Shehun. Do ta konsideroja një veprim të paprecedentë, në mungesë të personit që dënohet, një veprim me dyer të mbyllura, që po të futemi në literaturë definohet si një veprim autoritar apo stalinist. Sot, por jo vetëm sot, i qetë dhe i vendosur në bindjet e mia, pas 20 vitesh sakrifica në PS, pas 6 vitesh që Rama përpiqet që gjithçka ka bërë PS para vitit 2005 ta konsiderojë politikë tjetër, unë kryetari i parë i Parlamentit pluralist, një nga përfaqësuesit e shtetit shqiptar në organizmat ndërkombëtare, e shumë e shumë pafund angazhimeve të tjera, pasi shantazhohem prej 2 vitesh nga mos vajtja në parlament, dhe që akuzohem padrejtësisht për humbjen e 7 minibashkive të Tiranës, Edi Rama më përjashton nga grupi parlamentar socialist. Ndjej keqardhje, se para pak kohësh më thoshte në tel se kam respektin maksimal për inteligjencën tënde. Trishtim i madh, sepse vetëm një vit më parë, në një bisedë telefonike prej 4 orësh, më kërkonte të mos largohesha nga PS, pasi kishte dëgjuar një thashethem të pavrëtetë se unë mund të largohesha, gjë që s’ishte e vërtetë. Dhe sot i qetë, kjo që ndodhi, nuk është çështje e përballjes sime me Edi Ramën”- u shpreh deputeti Islami.
...