E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festime dhe simbole madhështore në Tiranë

Bashkia vendos shqiponjë dhe flamur gjigant, ndërsa aktivitetet kanë nisur nga mëngjesi deri në mbrëmje. Simbolet kombëtare dhe produktet shqiptare kanë qenë blerjet më të preferuara për qytetarët

Festimet për Pavarësinë këtë vit në Tiranë nuk i kanë ngjasuar aspak atyre të organizuara gjatë viteve të mëparshme. Si zbukurimet e qytetit, ashtu edhe festimet kanë qenë në përmasa madhështore, duke mos lënë jashtë tyre edhe kalimtarët më indiferentë. Kryeqyteti është gdhirë dje nën pushtetin e flamujve pafund kuqezi, ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka befasuar me vendosjen e dy simboleve gjigante të shtetit shqiptar.

Ditës së krenarisë kombëtare, 99-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i është shtuar dhe simboli pa të cilin kjo festë s’do të kishte kuptim. Me rastin e kësaj dite të shënuar për të gjithë shqiptarët, Bashkia e Tiranës ka vendosur shqiponjë gjigante kuq e zi në bulevardin “Zogu i Zi”, më e madhja në Tiranë, si një shenjë mirëseardhje për të gjithë qytetarët që i janë drejtuar kryeqytetit për të qenë unikë dhe të bashkuar në një festë kombëtare. Tirana, epiqendra e festimeve të festave të nëntorit në transformimin e saj njohu dhe flamurin me përmasa 7 me 9 metra, i vendosur në një shtyllë 32 metra e lartë, i cili valëvitet tek Pallati i Kulturës. Të gjithë qytetarët kanë pasur kënaqësinë të shikojnë, dy simbolet tona kombëtare, më të mëdha se kurrë. Por kjo nuk është panorama e përgjithshme e festimeve në Tiranë, që këtë vit kanë qenë nga më të shumtat, e që kanë nisur që nga orët e para të mëngjesit të djeshëm, deri në mbrëmje. Në Ditën e Pavarësisë, që në orët e para të mëngjesit, bulevardi i madh “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet është tejmbushur me qindra qytetarë, të cilët kanë mbajtur në duar flamuj kuq e zi. Përveç rrugëve dhe institucioneve, flamuj kombëtarë janë valëvitur dhe në ballkonet e pallateve. Flamuri shqiptar është vendosur edhe në shtëpinë e Kreshnik Spahiut, kreut të Aleancës Kuq e Zi, e cila mesditën e djeshme startoi nismën “Një shtëpi një flamur”, me të rinj që trokasin në çdo shtëpi për t’u kërkuar të vendosin flamurin kombëtar në ballkonet dhe dritaret e tyre. Por përtej zbukurimeve, edhe urimi i çdo shqiptari në takime, biseda apo tryeza familjare në ditën e Pavarësisë ka qenë “Për flamur”. Nuk ka receta dhe as modele sesi mund të festohet Dita e Pavarësisë. Gjithkush sipas mundësive financiare e ka kaluar në mënyrën e vet, por sigurisht flamuri kombëtar ka qenë pjesë e pandarë e festimeve. Për të tjerë, dreka e 28 Nëntorit është festuar larg shtëpisë, në lokale e restorante. Por, edhe në këto ambiente ndihej atmosfera e pavarësisë, flamuri kuq e zi ishte prezent kudo, në dritare, oxhaqe e çdo tavolinë. Ndërkohë që edhe gatimet dhe pijet që servireshin nga shumë restorante ishin tipike shqiptare, madje edhe kamerierët ishin me veshje popullore. Më shumë se çdo ditë tjetër, 28 Nëntori i 99-të i Pavarësisë dëshmoi se asnjë flamur apo ngjyrë tjetër veç atij kuq e zi nuk ka rëndësi për shqiptarët

Një mori aktivitetesh janë organizuar nga Bashkia e Tiranës, ku sheshet kryesore të kryeqytetit që në orët e para të mëngjesit janë shndërruar në qendra argëtimi për të rritur e fëmijë, panaire, këngë, animacione, shfaqje cirku, valle tradicionale e gjithçka tjetër që sjell atmosferë të vërtetë festive këtë fund nëntori. Një nga veçantitë e ditës së djeshme ka qenë edhe Panairi “Blej Shqip”, që organizohet vetëm një herë në vit dhe është rasti i vetëm që tregtarët shqiptarë, të cilët prodhojnë produkte, të kenë mundësi që të dalin dhe të promovojnë çka ata shesin. Në Ditën e Pavarësisë simbolet kombëtare dhe produktet shqiptare kanë qenë blerjet më të preferuara për qytetarët. Një tjetër aktivitet që është mirëpritur nga shumë nga publiku ka qenë edhe ai i organizuar në këndin e fotografisë para Galerisë së Arteve, ku dhjetëra qytetarë kanë bërë fotografi me personazhet historikë të 28 Nëntorit, si: Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi, Marigoja e Murat Toptani, të inskenuar nga aktorë të Teatrit. Atmosfera festive ka kulmuar në mbrëmje me një koncert madhështor në sheshin “Nënë Tereza”, të organizuar nga Bashkia e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›