Vdes në një aksident rrugor Theo Angelopoulos
Kinemaja greke humbi një nga emrat e saj më të mëdhenj, ndërsa ajo shqiptare një mik të mirë. Pas një aksidenti tragjik, humbi jetën regjisori grek, Theo Angelopoulos. Mediat greke njoftojnë se Angelopoulos u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare, mesnatën e së martës, pas një aksidenti të ndodhur vetëm pak orë më parë pranë Portit të Pireut, ku ndodhej për xhirimin e filmit të ri të tij, Deti tjetër. Regjisori mësohet të jetë përplasur nga një motoçikletë e, si pasojë, pësoi disa plagë të rënda, që i shkaktuan edhe vdekjen. Përgjatë një karriere 40-vjeçare, ai mundi të krijojë një portret të plotë dhe të veçantë artistik, i cili nuk mbeti jashtë vëmendjes së jurive të festivaleve prestigjioze. Në vitin 1995, ai do të fitonte Çmimin e Jurisë në Kanë dhe tre vjet më vonë do të merrte çmimin prestigjioz të Palmës së artë. Të tjera çmime do ta ndiqnin. Disa nga filmat e tij janë Udhëtim në Kythera, Bletërritësi, Vend në mjegull, Hapi i padukshëm i lejlekut, Vështrimi i Uliksit, Një përjetësi dhe një ditë etj.. Tre vjet më parë, Angelopoulos ishte në Tiranë, i ftuar special në Tirana International Film Festival, ku ndau eksperiencën e tij me studentët dhe kineastët shqiptarë.