E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes nga të ftohtit 78-vjeçarja, iku nga shtëpia

27/01/2011  Vuante nga depresioni

FIER- Problemet depresive çuan një 78-vjeçare të humbë jetën e vetme dhe jashtë banesës së saj. Policia njofton se në mëngjesin e së mërkurës pranë shinave të trenit është gjetur trupi i pajetë i një gruaje. Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar rreth orës 8 të mëngjesit të ditës së djeshme, zyrën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier se në rrugën Fier-Seman në afërsi të hekurudhës është gjetur e vdekur një shtetase e moshuar. Grupet e hetimit kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ndërsa janë munduar të shoqërojnë për në spital të moshuarën. Por mjekë, të cilët kanë mbërritur edhe ata pranë trupit, deklaruan se e moshuara ishte pa shenja jete. Këqyrja e trupit tregoi se nuk ka pasur asnjë shenjë dhune. Ndërkohë pas veprimeve të para hetimore, policia arriti ta identifikojë kufomën dhe ajo i përkiste 78-vjeçares Leme Hamzai banore e lagjes “Mbrostar Ura”. Strukturat e hetimit të krimit në komisariatin e policisë së Fierit, pasi bënë ekspertizën dolën në konkluzionin se Hamzai kishte humbur jetën për shkaqe natyrale. Familjarët dhe të afërmit kanë deklaruar se 78-vjeçarja kishte 3 vjet që vuante nga sëmundjet depresive. Si pasojë ajo bëhej e pakontrollueshme dhe shpeshherë largohej nga shtëpia në çdo orë të ditës apo të natës. E moshuara ishte nënë e shtatë fëmijëve. Ajo i përkiste komunitetit rom, por me banim të përhershëm në “Mbrostar-Ura”. Nipi i saj Erjol Kurteli ka pohuar se e moshuara Leme Hamzai kishte dalë natën e së mërkurës nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer, madje ajo kishte dalë e zbathur. Vdekja natyrale e shkaktuar nga temperaturat e ulëta të natës së mbrëmshme ka qenë edhe shkaku i vdekjes së saj, që e çon këtë rast në rastin e parë të vdekjes nga të ftohtit në zonën e Myzeqesë. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›