E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerohet skema e ndihmës ekonomike

27/01/2011  Qeveria miraton kategoritë e reja që do të përfitojnë marrjen e pagesës sociale

Për të mos rrezikuar marrjen e pagesës përfituesit duhet të punojnë për komunitetin

Miratohen ndryshimet e kërkuara mbi funksionimin e skemës së ndihmës ekonomike. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë jo vetëm janë miratuar kategoritë e reja të marrjes së kësaj pagese, por dhe detyrimet e përgjegjësitë që duhet të ndjekin institucionet përgjegjëse dhe përfituesit për mënjanimin e abuzimeve, në mënyrë që nga kjo pagesë të përfitojnë familjet realisht të varfra. Lidhur me këto ndryshime burimet zyrtare të Ministrisë së Punës bëjnë me dije se ndryshimet ligjore parashikojnë përfshirjen e grupeve të reja përfituese të ndihmës, si dhe kushtëzimin e së drejtës së përfitimit të ndihmës ekonomike me punë dhe shërbime, ndërkohë që do të rishikohen edhe kriteret që bazohen në një sistem vlerësimi të bazuar në nevoja. Risitë ligjore që do të sjellin reformimin e kësaj skeme synojnë që deri në vitin 2012 asnjë familje të mos jetë në pragun e varfërisë ekstreme. Kështu, përcaktimet e miratuara dje nga Këshilli i Ministrave në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” do të sjellin mbështetje më të mirë dhe të plotë për të gjitha kategoritë në nevojë dhe kontroll më të mirë të ndarjes së kësaj pagese, duke krijuar edhe regjistrin elektronik të të dhënave.

Përfituesit e rinj

Pas diskutimeve të zhvilluara ndërmjet ekspertëve të fushës, u pa e nevojshme që të përfshihen edhe një sërë kategorish të reja në marrjen e kësaj pagese. Për këtë projektligji parashikon si kategori të re përfituesish të kësaj pagese viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare dhe jetimët që nuk janë në institucione. Po ashtu për herë të parë parashikohet që ndihma ekonomike është jo vetëm një pagesë në lekë, por dhe përfitim mujor në natyrë. Ndryshimet parashikojnë mbështetjen me pagesë shtesë mbi atë të parashikuar për strukturën e familjes për fëmijët e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike, të cilët ndjekin arsimin e detyrueshëm. Duke pasur parasysh që të inkurajojë familjet përfituese të kësaj pagese për të dërguar fëmijët në shkollë, këto familje duhet të stimulohen për ta bërë këtë gjë. Projektligji ka parashikuar edhe mbështetjen e atyre familjeve ku bashkëshortët janë në proces zgjidhje martese, duke u garantuar mbështetje me ndihmë ekonomike. Deri tani këto raste nuk mbështeteshin nga ky program.

Kriteret /Kushtëzimi

Kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike do të bazohen në një sistem vlerësimi të bazuar në nevoja, duke pasur parasysh përbërjen e familjes, burimet e të ardhurave si përfitimet e mbrojtjes sociale, të ardhurat e mundshme nga kapitali, si, toka, bagëtia dhe variablave të tjera të veçanta socialekonomike që lidhen me statusin e varfërisë.

Duke vlerësuar faktin se deri tani skema e ndihmës ekonomike është financuar me fondet e buxhetit të shtetit, si dhe duke parë përvojat e vendeve të tjera, është propozuar që ndihma ekonomike të kushtëzohet me pjesëmarrjen në punë apo shërbime, të cilat kontribuojnë në targetimin më të mirë të individëve në nevojë, mbulim me të ardhura me të larta për familjen, përfitimin e komunitetit ku ofrohen këto punë apo shërbime, reduktimin e nivelit të varfërisë dhe realizimi i kthimit të skemës së ndihmës nga skemë pasive në një skemë aktive.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›