E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdiq Komisioni Halimi

Eshtë shuar veprimtaria e Komisionit Hetimor Parlamentar për ngjarjet e 21 Janarit 2011. Çfarë ka ndodhur mbas dëshmisë së Kryeministrit e Kryetares së Kuvendit dhe refuzimit për të dëshmuar të Presidentit të Republikës, Prokurores së Përgjithshme dhe Drejtorit të SHISH? Dy arsyet pse komisioni praktikisht ka vdekur: Berisha jua ka premtuar shuarjen në heshtje të komisionit partnerëve ndërkombëtarë si element për uljen e tensionit në vend dhe dy nga anëtarët e tij nuk mund të pajisen me çertifikatë sigurie

Nga Lorenc Vangjeli

MAPO

Komisioni Hetimor Parlamentar për Hetimin e ngjarjeve të 21 Janarit 2011 ka pushuar së funksionuari. Zyrtarisht organizmi që njeh për kryetar deputetin e PD-së me emër britanik dhe mbiemër musliman, Eduard Halimi, ekziston, por praktikisht është shpërndarë. Prej më shumë se një muaji, ai nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje dhe nuk ka kryer asnjë lloj veprimtarie legale. Nuk ka asnjë konfirmim që të ketë zhvilluar veprimtari hetimore ilegale.

Afati i punës së komisionit është pa kufi dhe objekti i tij përfshihet në çfarë ka ndodhur në pak orë të një dite të vetme. Ndryshe, fjala vjen, nga komisioni i fundit i krijuar për hetimin e veprimtarisë së organeve drejtuese të Kuvendit që e ka hetimin të shpërndarë në një hark kohor prej pesë vjetësh e gjysëm që duhet ta mbyllë punën e tij për katër muaj. Komisioni Halimi pati këtë fund për dy arsye: së pari sepse kështu ka vendosur krijuesi i tij, kryeministri Berisha dhe së dyti, dy nga anëtarët e tij dyshohet se kanë një problem ende të hapur me të kaluarën e tyre.

Problemi, referon një burim i rezervuar për revistën MAPO, do të bëhej edhe shumë më serioz nëse do të kishte hyrë në fuqi ligji për Lustracionin. Por burimi, hë për hë, nuk jep detaje të tjera.

I vdekuri i pavarrosur

Ka vdekur, por nuk është varrosur ende. Të gjithë e dinë se morti ka ndodhur në Kuvend, por pakkush është kujtuar sipas zakonit që të ndajë kafen e përshpirtjes. I ndjeri ka emër të gjatë, si indianët e Amerikës dikur. Quhet Komisioni Hetimor i Kuvendit për Hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përbysjen e rendit kushtetues në datën 21 Janar 2011.

Ka një anekdotë të vjetër po me indianë; një prej tyre kërkon të ndryshojë emrin në gjendjen civile. Quhej Kali i Hekurt që Shkrofëtin Zjarr e Tym nga Flegrat kur Rend në Prerinë e Pafundme nga Muzgu në Agim.

Indiani donte të quhej thjesht Tren.

Edhe Komisioni hetimor me emër të gjatë dhe që ka vdekur tani quhet thjesht Bllof.

Me mbiemrin i paligjshëm.

Atësia ka emrin politikë.

Gjatë, komisioni Halimi sot mund të quhet Bllof Politik i Paligjshëm. Shkurt ishte një kalë që ndihmoi të kapërcejë një lumë dhe pati trajtimin që i rezervohet kalit mbasi kapërceu kalorësin në anën tjetër të lumit. Dhe këtë, duhet ta ketë ditur që në krye të herës, madje, edhe vetë deputeti E. H.

Që nga e mërkura e largët kur përballë Komisionit Hetimor foli, por nuk ju përgjigj pyetjeve Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama sepse nuk mund të trajtonte çështje konkrete nën hetim nga institucioni i saj dhe refuzoi të përgjigjet Drejtori i SHISH Bahri Shaqiri sepse anëtarët e komisionit nuk kishin çertifikatë sigurie, komisioni pati fatin e të hollit të pulës në shkretëtirë. Humbi pa nam dhe nishan. Humbi edhe përkundër premtimit se do të pyeste Presidentin e Republikës që gjithashtu e refuzoi atë komision. Humbi edhe përkundër premtimit të tërhequr pas, për hetimin e veprimtarisë jogazetareske të katër gazetarëve të njohur. Nga ajo e mërkurë, askush nuk është kujtuar më për komisionin dhe mbi të gjitha, as komisioni nuk është kujtuar për veten.

Arsyet janë dy dhe pavarësisht se cila është e para, ato nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.

Një burim i rezervuar pohon me siguri të plotë se kryeministri Berisha e ka premtuar shuarjen e pazëshme të komisionit përpara një interlokutori shumë të rëndësishëm ndërkombëtar që ka vizituar Tiranën për çështjen e krizës politike që po kalon vendi. Ky premtim do të shërbente si një element që do të ndikonte në çtensionimin e situatës dhe pjesë e një pakete edhe me dy oferta të tjera të ngjashme për opozitën për të njëjtin qëllim.

Arsyeja e dytë është dhe shumë më e rëndë. Të tjera burime të rezervuara pohojnë se përkundër një lajmi të pilotuar në media, dy nga pesë anëtarët e komisionit hetimor nuk janë pajisur me çertifikata sigurie. Që do të thotë se ndërmjet komisionerëve Eduard Halimi, kryetar, Gent Strazimiri, Dashnor Sula, Enkelejd Alibeaj, Fatos Hoxha dhe Viktor Gumi, anëtarë, dy prej tyre nuk mund t´i bënin pyetje dhe të merrnin përgjigje nga shefi i SHISH për arsye sigurie. E thënë në një mënyrë tjetër, nuk afronin garanci vetjake për efekte sigurie, në ato standarte që kërkon statusi i ri i vendit që është anëtar i NATO-s.

Si nisi?

Të dielën në mbrëmje, në datën 23 Janar 2011, mbas një fjalimi të gjatë të kryeministrit në Kuvend, në prani vetëm të deputetëve të shumicës, me vendim unanim e të njëanshëm të tyre, u krijua komisioni hetimor parlamentar me emër të gjatë. Por vendimi me numër 82, që në titullin e këtij vendimi, i kishte dhënë rrugë gjithçkaje që pritej të hetohej. Kishte paracaktuar se çfarë kishte ndodhur të Premten e Zezë të 21 Janarit përmbysje e rendit kushtetues dhe po ashtu kishte paracaktuar fajtorët. Ata që kishin kryer veprimin e organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve.

Për të kuptuar më mirë fatin e parashkruar të këtij komisioni që tashmë ka fatin e një fëmije të braktisur së pari nga krijuesi ati i tij duhet kuptuar dinamika e ngjarjeve që pasuan 21 Janarin.

Tre të vrarët e demonstratës së opozitës dhe një i katërt që humbi jetën ditë më pas nga plagët e marra në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, nuk u përmendën asnjëherë gjatë seancave të para të veprimtarisë së komisionit. Argumenti: Hetimi i komisionit parlamentar nuk shtrihet për ato çështje dhe rrethana, për të cilat Prokuroria e Republikës së Shqipërisë ka filluar procedim penal sipas ligjit, thuhet në objektin e hetimit. Një argument që në fakt do të duhej të përfshinte gjithë objektin për të cilin ishte krijuar vetë komisioni.

Dy nga personazhet më të rëndësishëm politikë të vendit që dolën përpara panelit me deputetë vartës të tyre, ishin kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

Zoti Berisha, në dëshminë që dha në komision, nuk shtoi asgjë të re. Në deklarimet e mëparshme ai kishte përmendur disa fakte jashtëzakonisht të rëndësishëm:

Së pari, demonstruesit ishin vrarë nga një distancë e afërt,

Së dyti, demonstruesit ishin pajisur me çadra pistoletë, stilolapsa pistoletë, thika me helm për të përmbysur rendin kushtetues në vend. Duke anashkaluar faktin që në Shqipërinë e tregut të lirë, të gjesh armë zjarri të vërteta nga ato të rusit dhe kinezit që mbante në depo Enver Hoxha, është një sipërmarrje po aq e thjeshtë sa të blesh bukë në një dyqan lagjeje.

Së treti, se ishin identifikuar kamionë me armë dhe tritol që do të shërbenin sërish për demonstratën.

Së katërti se autorët e puçit të shtetit kishin plan A, plan B dhe Plan C.

Asnjë nga këto dëshmi nuk u provua e vërtetë. U vërtetua publikisht dhe pritet të vërtetohet edhe penalisht se demonstruesit u vranë nga përtej gardhit të kryeministrisë dhe se askush nga ta nuk është qëlluar duke qëndruar brenda rrethimit të saj.

Nuk u gjet dhe nuk u sekuestrua si provë materiale asnjë çadër pistoletë, asnjë stilolaps pi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›