Fiqiri Xibri: Ato që nuk i arritëm me protesta, do i arrijmë nëpërmjet pjesmarrjes në politikë.

Gjatë grevës së urisë Maj-Qershor 1991 Valias. Nga e majta në të djathtë- Ylli Bruci (k/inxh. i minierës), Ylli Vejsiu, Sali Berisha, Agim Hyseni (drejtor i minierës), Fiqiri Xibri (kryetar i Sindikatës së Minatorëve dhe kryetar i grevës së urisë. Albert Karriqi (deputet i PD)
Siç dihet kodi zgjedhor kërkon që 30 për qind e kandidatëve të jenë femra ndërkohë që gjithashtu është e qartë se nuk ka minatore femra. Pra dhe kjo kërkesë e kodit ishte një lloj handikapi për të hyrë në zgjedhje në një masë më të gjërë.
Bisedoi Ardit Rada
Zoti Xibri, minatorët e Valiasit kanë qenë një forcë e konsiderueshme që i dha shtyrjen finale diktaturës përkrah studentëve të dhjetorit dhe Partisë Demokratike. Çfarë ka ndodhur që marrëdhëniet tuaja janë ftohur që prej vitesh me PD-në?
Kishte dy momente kulmore të konfliktit tonë me PD, më saktë me Berishën. Së pari ishin ngjarjet e dy prillit në Shkodër, ku Berisha më kërkoi që ne si sindikatë të denoconim dhe dënonim publikisht vrasjet si vrasje politike. (Nga pushteti i asaj kohe pretendohej se vrasjet kishin ndodhur gjetkë dhe kufomat ishin sjellë për inskenim tek vendi i demonstratës). Unë i kërkova atij që të vrarët ishin në një demonstratë politike, jo sindikale, pra duhej PD ti dënonte e para dhe vetëm pas tyre, ne si sindikatë. Kulmi ishte se ai ma përsëriti kërkesën duke ma cilësuar se ishte një urdhër, çka më detyroi që ti përgjigjesha me ashpërsi se nuk e kishim krijuar sindikatën për të marrë urdhëra prej tij.
Ishte së dyti kundërshtimi në mënyrë të prerë, që sindikata jonë i bëri teorisë makabër të të ndjerit Pashko, terapisë së shokut, të mbështetur në pretendimin idiotesk të çekut të bardhë, që çuditërisht është përmendur sërish tani nga kandidati i Berishës për kryebashkiak, Basha.
Zoti Xibri, minatorët kanë hyrë në këto zgjedhje në mbështetje të koalicionit opozitar. Cila është marrëveshja juaj me Partinë Socialiste?
Ka dy natyra të ndryshme se si ne e kemi mbështetur opozitën. Kësaj rradhe është diçka ndryshe nga herët e tjera. Zgjedhjet e kaluara ne bëmë një marrëveshje me shkrim ku ne garantonim që votat e minatorëve të shkonin për opozitën dhe nga ana tjetër, Partia Socialiste garantonte që me ardhjen e saj në pushtet do realizonte kërkesat tona përsa i përket Statusit të Minatorit. Por kjo marrëveshje nuk pëfundonte me kaq. Gjithashtu Partia Socialiste garantone se në rast humbje, sërisht do mbështeste kauzën tonë dhe do vinte ne funksion të çështjes të gjitha mekanizmat që ajo kishtë në dorë me qëllim që të garantone të drejtat që ne kërkonim. Por zhvillimet politike pas zgjedhjeve të qershorit 2009, nuk ishin të atilla që ne të ngrinim si problem tek Partia Socialiste faktin se edhe pse nuk fitoi zgjedhjet, të na garantonte ato për çka kishim firmosur marrëveshjen sepse zhvillimet politike të mëvonëshme treguan që nuk kishte hapësirë për trajtimin e temës së statusit të minatorit. Kjo qoftë për mungesën e Partise Socialiste në Parlament, qoftë dhe për shumë arsye të tjera përveç bojkotit. Kështuqë tek minatorët kjo gjë nuk shkaktoi pakenaqësi pasi rruga vazhdonte të ishte e hapur për një marrëveshje të dytë si në rastin e zgjedhjeve lokale. Kjo ishte një situatë të cilën ne e kishim menduar gjatë. Të detyruar nga mosrealizimi i qëllimeve tona, ne u munduam për të gjetur një zgjidhje llogjike për të mundësuar realizimin e atyre çka ne kërkonim. Kështuqë ne bëmë një analizë të të gjithë elementëve, qoftë situatës politike apo pozicionimit të partive të tjera ashtu dhe të situatës sindikale në vend .
Ju hyni në zgjedhje si pjesë e koalicionit thjeshtë si forcë votuese duke i bërë thirrje minatorëve që të votojnë koalicionin e majtë, apo jeni pjesë e këtij koalicion me kandidatët tuaj dhe nën siglën e një partie politike?
Fillimisht dua të theksoj se duke marrë pjesë në zgjedhje, ne kemi dy qëllime. Së pari largimin e kësaj qeverie dhe i këtij kryeministri jo për inat të vjehrrës por sepse kjo qeveri ka mbyllur çdo shans komunikimi e jo më të realizimit të kërkesave tona. Përderisa kjo qeveri nuk ofron as mundësinë e komunikimit dhe sillet me arrogancë dhe arbitraritet kundrejt çdo kërkese tonë, kuptohet që ne nukkemi se çpresim më. Nga ana tjetër kjo qeveri i kundërvihet çdo organizmi demokratik qoftë sindikatave, qoftë gazetarëve, opozitës dhe qytetarëve pra kjo plotëson kuadrin tonë llogjik që prioriteti kryesor për ne është largimi i Sali Berishës. Detyrimisht llogjika kërkon që të kemi dhe nje prioritet të dytë pasi realizimi i këtij qëllimi nuk garanton plotësisht realizimin e objektivave konkrete tona si sindikatë. Atëherë, ajo çka ne kemi vënë re në këto katër vite është se mundësia jonë organizative të lë për të dëshiruar. Nuk kemi mundësi të ndërtojmë një infrastrukturë qoftë mundësi ekonomike apo çfarëdolloj tjetër që garantojnë një sindikatë të fuqishme por kemi arritur të përfshijmë anëtarët tanë në një luftë pa kushte, pa kompromis dhe të gjatë. Vështirësitë tona kanë të bëjnë me anën praktike përshembull po të marrim një aspekt banal por që është dhe i rëndësishëm njëkohësisht, ana ekonomike. Ne nuk kemi mundësi që njerëzit që angazhohen për forcimin e sindikatës nëpër rrethe apo komuna të veçanta, ti ndihmojmë nga ana ekonomike pasi dhe ato janë njerëz që përkrahas punës për të garantuar kërkesat e veta, kërkojnë dhe një punë për të mbajtur familjet e tyre. Kështuqë ne do tentojmë në këto zgjedhje që të marrim disa këshilltarë nëpër komuna dhe bashki, duke i mundësuar atyre një ndihmë ekonomike, pagën si këshilltar. Ne menduam që në funksion të prioritetit tonë kryesor që siç e thashë është largimi i kësaj qeverie, nuk do ishte mirë që ne të atashohemi direkt tek Partia Socialiste. Dihet që Shqipëria është e ndarë më dysh përsa i përket pozicionimit partiak dhe këtij realiteti nuk mund ti shpëtonin as minatorët shqiptarë. Kështuqë për të shmangur pakënaqësite që mund të lindnin, ne nuk u bëmë pjesë e listave të Partisë Socialiste por kemi marrë një parti të vogël që quhet Bashkimi Republikan. E kemi zgjedhur midis disa partive ekzistuese pasi mendojmë që kjo parti do mbetet partizane e kauzës sonë për një kohë të gjatë pasi kryetari i saj është një ish inxhinier minierash dhe pjesë e lëvizjes sindikale në vitin 1991 në minierën e Valiasit, pra kolegu ynë dhe pjesë e interesave tona. Kjo parti është themeluar që në vitin 1992. Referuar emrit të saj, Bashkimi Republikan, duket si një parti e djathtë por siç dihet në Shqipëri partitë nuk përcaktohen nga sigla apo emri. Po të shohim partitë kryesore, të dyja qëndrojnë në qendër dhe po ta shohim në praktikë, Partia Socialiste ka qënë më shumë e djathtë se sa Partia Demokratike. E djathta nuk do të thotë që është antisociale pasi këtë e ka vërtetuar prej kohësh Perëndimi, pra të bësh politikë të djathtë nuk do të thotë ti kundërvihesh interesave të punëtoëvë por të gjesh nje ekuilibrim që të shpjerë në një zgjidhje pozitive për të gjithë. Por ndryshe nga vendet perëndimore, në Shqipëri qeveria dhe sektori privat ka çuar në konfrontime të punëdhënësve me punëmarrësit.