"Vegimi i Nënë Terezës që më nxiti të shkruaja"
Nënë Tereza për të është një frymëzim i vazhdueshëm. E quan fryt poetik i një vegimi vëllimin e fundit që i ka kushtuar bamirëses. Anton Nikë Berisha e thërret çdo herë Nënë Tereze. I ka kushtuar vargje të tëra pranisë së saj tek ai, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si njeri që i përulet forcës së besimit. "Ujvarë drite në zemër" (Katërmbëdhjetë pamje të hirit hyjnor të Agnes Gonxhe Bojaxhiut-Nënë Tereze) titullohet vëllimi poetik, që "Argeta LMG" e hedh në qarkullim sot, në ditën e Lumturimit të saj. Gjashtë vjet më parë, më 19 tetor të 2003-shit, Papa Gjon Pali II lumturoi gruan veshur me sarin e bardhë me shirit blu, që ia kushtoi jetën e saj njerëzimit. Botimi i këtij libri përkon edhe me një tjetër përvjetor, të 30-in e vlerësimit të Nënë Terezës me çmimin "Nobel", më 1979. Anton Nikë Berisha, profesori i letërsisë shqipe në Universitetin e Kalabrisë, ia beson një vegimi gjithë nxitjen e tij për të shkruar në vargje. "Gjatë punës së hartimit të romanit tim me titull pune "Ëndrra e erës - Në qytetin e të gërbulurve të Nënës Tereze", në një çast përsiatje të thellë, përjetova një vegim që më erdhi si vrushkull ndriçimi i syrit të mëngjesit. Nuk ishte gjë e pazakontë. Gjatë krijimit të një vepre poetike ndodhin shpesh dukuri të parëndomta, siç është i parëndomtë edhe vet akti krijues. Pse ndodh kështu asnjëherë nuk mund të sqarohet deri në fund. Në vegim e pashë Nënën Tereze me një buzëqeshje ëmbëslore. Pastaj, si një vistrak ujëvarash ndriçimi, zura t‘i dalloja katërmbëdhjetë pamjet e hirit hyjnor të saj, që këmbeheshin e ndiqnin njëra-tjetrën, si ndalimet e Krishtit deri te vendi i kryqëzimit", shkruan autori në parathënien e vëllimit poetik. Berisha është marrë gjatë me figurën e Nënë Terezës. "Nëna e dritës", "Shën Pali dhe Nënë Tereza", "Testamenti shpirtëror i Nënës Terezë, "Thelbësorja e besimit dhe e lutjeve të Nënës Terezë", "Errësira dhe vuajtjet shpirtërore të Nënës Tereze përligje e hirit të Hyjit dhe e hyjnimit të saj", janë disa vëllime të tjera që shkrimtari i ka kushtuar bamirëses. Sot, në të gjithë botën do të kujtohet gruaja shtatshkurtër. Përmes lutjesh, këngësh apo edhe aktivitete. Anton Nikë Berisha ka zgjedhur vargjet. "Vegimi që më erdhi, u lëshoi pastaj vendin përsiatjeve dhe një pune të gjatë për të rikujtuar e ndërtuar gjithë atë që pashë ose që kam mundur ta shoh në atë këmbim magjeps të pamjeve, në të cilat Nëna Tereze u shfaq me përvujtësinë dhe çiltërinë e saj të pashembullt. Puna dha këtë fryt të përvuajtur, që po del në dritë, përballë punës së madhërishme dhe flijimit të jashtëzakonshëm në Nënës, Shenjtëreshës së gjallë, siç u quajt që në të gjallë të saj", thotë më tej shkrimtari. Fjalët që ajo vetë ka lënë në të shkruar janë një referim i vazhdueshëm për Berishën, për të kuptuar flijimin e kësaj gruaje. E po ashtu fjalët e saj thënë atit Edward Le Joly pasi kishte mbaruar së lexuari dorëshkrimin e tij "Nëna Tereze dhe Misionaret e Dashurisë": nëse ky libër nxit qoftë dhe vetëm një person që ta përmbushë një akt të dashurisë së Zotit, do ta paguante barra qiranë që e ke shkruar", shërbejnë si ngushëllim për Anton Nikë Berishën dhe punën që ka bërë.