Rekrutimi i të rinjve në Shqipëri për terrorizëm!
Sipas Gjykatës së Tiranës, prokuroria ka dërguar për gjykim kërkesën, për dhënien e autorizimit për kontrollin e ambienteve në pronësi të Artan Kristos, ambiente në të cilat dyshohet se kryhej vepra penale e "nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllime terroriste". Prokuroria e Tiranës, mbi bazën e materialit kallëzues të ardhur në datën 10 qershor 2009 nga Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), ka regjistruar procedimin penal nr. 2915, viti 2009, në ngarkim të shtetasit Artan Kristo. Aktualisht ai njihet si praktikues dhe predikues i fesë myslimane. Në këtë fushë personi nën hetim, Artan Kristo, njihet me emrin Muhamed Abdulla Al Albani. Aktivitetin e tij fetar, 31-vjeçari e realizonte ndërmjet të tjerave edhe nëpërmjet komunikimit në rrugë telefonike dhe elektronike. Në website (faqe elektronike) www.albselefet.net, shfaqen disa pamje të shtetasit Artan Kristo, nga të cilat dyshohet se ky shtetas synon mbështetjen ose kryerjen e veprave për qëllime terroriste. Personi nën hetim, Artan Kristo, prej një kohe të gjatë, sipas gjykatës dhe prokurorisë, bënte propagandë radikale islamike të llojit salafit-tekfirist, me një grup të vogël të rinjsh në Rrashbull dhe Golem, duke dhënë këshilla radikale islamike. Këto këshilla dhe këtë propagandë Kristo e realizonte edhe nëpërmjet website-ve www.forum.islamik.com dhe www.udhezimedhedrita.net.