Historiani i artit, Enrico Crispolti, do të mbajë një konferencë
"Identiteti dhe karakteri historik i futurizmit" është konferenca që do të çelë edicionin IX të javës së gjuhës italiane në botë, që do të zgjasë deri më 23 tetor. Profesor Enrico Crispolti, historian i artit bashkëkohor, ekspert italian i lëvizjes futuriste, është ftuar që të mbajë në Tiranë, nesër në orën 11.00 në Fakultetin e Historisë e Filologjisë një konferencë me studentë. Në të njëjtën orë, në liceun artistik "Jordan Misja" do të mbahet një ekspozitë kushtuar një prej protagonistëve italianë të futurizmit. Mino delle Site. Crispolti, nismëtar i historiografive mbi bashkëkohoren, në gati gjysmë shekulli aktivitet, ka bërë kërkime historiko-kritike për ekspresionizmin, futurizmin, surealizmin në artin italian mes dy luftërave. Si njohës i mirë i autorëve që përfaqësojnë këto rryma, Crispolti ka shkruar një sërë librash të rëndësishëm, veçanërisht për futurizmin, duke e parë atë edhe në këndvështrimin historik. Në vazhdim të këtyre aktiviteteve, profesor Matteo d‘Ambrosio, pedagog letërsie në Universitetin "Federico II", do të bëjë një përmbledhje kritike të poezisë dhe letërsisë futuriste. Ndër shumë aktivitete të tjera që janë menduar të organizohen gjatë këtyre ditëve, do të projektohen edhe disa filma, mes të cilëve "Ngjyrat e rinisë" mbi jetën e Umberto Boccioni-t, një nga piktorët më të mëdhenj të lëvizjes futuriste. Aktivitetet promovohen nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe nga Academia della Crusca, me qëllim përhapjen e gjuhës italiane në botë. Veprimtaritë organizohen nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me disa institucione kulturore shqiptare.