E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vehap Shita për Emin Durakun

Vepra më e re e Vehap Shitës, e titulluar “Emin Duraku, qëndresa për çlirim dhe bashkim kombëtar”, është promovuar të shtunën në drekë në vendlindjen e heroit Emin Duraku, në Gjakovë. Nga Express më 17 prill 2011 në ora 15:15

Prof. Pajazit Nushi tha se kjo vepër e Shitës është një vepër e rëndësishme, me vlera historike, etike, politologjike e sociologjike. “E quaj vepër të rëndësishme, sepse përmes njohjes së përmbajtjes të angazhimeve dhe veprimeve të Emin Durakut, lexuesi i kujdesshëm do të njihet me zhvillimin e atij mendimi kardinal botëror për internacionalizimin dhe revolucionin sidomos gjatë viteve të 30-ta të shekullit të kaluar dhe më vonë”, tha Nushi.

Prof. Jusuf Bajraktari, i cili Emin Durakun e quajti “një figurë grandioze të një teoriku të shkëlqyer”, tha se kjo vepër që i kushtohet një personaliteti shumëdimensional, ose siç e quan vet autori, një figurë poliedrike, përbën një studim unik për një nga personalitet e kauzës çlirimtare nga periudha e Luftës së Dytë Botërore.

Sipas historianit Bajraktari, “brenda librit fshihen informacione të bollshme për veprimtarinë politike e patriotike të një figure padyshim më komplekse dhe më të avancuar në pikëpamje të kohës”. “Konsiderojmë se duke paraqitur të gjitha këto vrojtime në një botim si ky, është një kontribut me vlerë për studime historike dhe albanologjike në përgjithësi”, tha Bajraktari.

Për librin, por edhe për figurën e heroit Emin Duraku, kanë folur edhe personalitete të tjera, si akademik Besim Bokshi, profesor Masar Rizvanolli, si dhe përfaqësues të shkollave që mbajnë emrin e Emin Durakut.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›