E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi i afrohet liderit

Hysi ka thelluar krizën e Flamurtarit dhe i është afruar në vetëm katër pikë rivalit të tij kryesor për titull, Prishtinës, e cila u mposht nga Drenica. Pikët e shpresës i kanë arkëtuar edhe Vëllaznimi e Ballkani që mposhtën Lirinë respektivisht Besën. Shpresat për mbijetesë i janë shtuar edhe Ferizajt. Nga Express më 17 prill 2011 në ora 20:33

Gara për titull ka filluar të nxehet. Lideri i Superligës ka humbur në Skenderaj përballë Drenicës derisa përcjellësi i parë, Hysi ka triumfuar ndaj Flamurtarit duke zvogëluar epërsinë e bardhekaltërve në vetëm katër pikë. Po ashtu edhe lufta për mbijetesë gjithnjë e më shumë po bëhet interesante.

Drenica – Prishtina2:1

Lideri i Superligës, Prishtina është ndalur në Skenderaj, ku të dielën u mposht nga Drenica me rezultat 2:1, në kuadër të xhiros së 24-t të Superligës së Kosovës në futboll.

Kuqezinjtë kanë kaluar në avantazh prej 1:0 në minutën e 24-t me golin që e ka shënuar Besim Bajraktari, pas një iniciative të ekipit të tij. Me këtë rezultat, edhe ka përfunduar pjesa e parë e kësaj ndeshjeje, në të cilën bardhekaltrit kishin hyrë pa disa lojtarë kyçë.

Ndërsa, në fillim të pjesës së dytë, vendasit shënuan edhe një herë për rezultat 2:0, nëpërmjet Përparim Demirajt. Kurse, golin e vetëm për Prishtinën e ka realizuar Ardian Kozhani, i cili realizoi në minutën e 62-të për rezultat përfundimtar, 2:1.

Marrë në tërësi, kjo ndeshje nuk ishte aq atraktive për shikues dhe mungoi rivaliteti në fushë, pavarësisht se pikët ishin shumë të rëndësishme për të dyja ekipet. Këtë e konfirmon edhe fakti se gjyqtari kryesor nuk pati nevojë fare t’ia tregoj ndonjë lojtari kartonin.

Sidoqoftë, në vazhdim të kampionatit Prishtina do të sfidohet seriozisht nga Hysi në luftë për titullin e kampionit, pasi tani prishtinasit kanë vetëm katër pikë më shumë sesa bardhezinjtë.

Flamurtari – Hysi0:1

Disfatën e Prishtinës nga Drenica për mrekulli e ka shfrytëzuar Hysi. Bardhezinjtë e mposhtën midis kryeqytetit Flamurtarin e rrezikuar, me rezultat minimal, 0:1.

Golin e fitores për Hysin e ka shënuar në minutën e 58-të, kapiteni Mentor Zhdrella me një gjuajtje perfekte prej një ndërprerjeje. Ky gol demoralizoi kuqezinjtë, të cilët edhe u nervozuan.

Kështu, në minutën e 60-të, gjyqtari përjashtoi nga loja kapitenin e prishtinasve, Milaim Humollin, i cili u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Vetëm pak çaste më vonë, gjyqtari përjashtoi nga loja edhe dy futbollistë të tjerë – Emir Ramën e
Flamurtarit dhe Besar Musollin e Hysit – të cilët goditën fizikisht njëri-tjetrin.

Kështu, me nëntë lojtarë në fushë, për prishtinasit ishte e pamundur ta barazonin rezultatin, derisa Hysi për pak sa nuk shënoi edhe një herë nëpërmjet Enis Zabërxhës, i cili qëlloi shtyllën.

Kjo humbje ia ka vështirësuar jashtëzakonisht shumë punët Flamurtarit, në luftë për mbijetesë, derisa Hysi me këtë fitore ka hyrë shumë seriozisht në garë për titull të kampionit.

Ballkani – Besa1:0

Ballkani vazhdon me serinë e rezultateve pozitive. Therandasit e kanë mposhtur Besën me rezultat minimal, 1:0, me të cilën fitore kjo skuadër i ka rritur bukur shumë gjasat për të mbijetuar në Superligë. Golin e fitores për ‘Portokallinjtë’ e ka shënuar Afrim Mziu nga penaltia, qysh në minutën e 15-të takimit. Vendasit e ruajtën avantazhin deri në fund të takimit, i cili edhe përfundoi me rezultat 1:0.

Vëllaznimi – Lira2:0

Edhe Vëllaznimi e ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme në betejën për mbijetesë. Gjakovarët e kanë shfrytëzuar mirë përparësinë e terrenit dhe e kanë mposhtur Lirinë me rezultat 2:0. Golat për kuqezinjtë i kanë shënuar Ermir Nikoliqi, në minutën e 65-të dhe Gjergj Bushaj në minutën e 75-të të takimit. Shansin më të mirë për prizrenasit në këtë takim e ka pasur Agron Skeraj në minutën e 11-të, por gjuajtja e tij kishte përfunduar në shtyllën e portës kuqezi.

Ferizaj – Trepça1:0

Ndonëse gjendet në vendin e fundit të tabelës, Ferizaj ende ka gjasa për të mbetur në elitën e futbollit kosovar. Kjo pasi bardhekaltrit shënuan fitore me rezultat minimal 1:0 ndaj kampionit në fuqi, Trepçës. Tri pikë Ferizajasit ia dhuroi goli që e shënoi në minutën e 87-të Bujar Shabani. Madje, epërsia e vendasve ka mundur të jetë ende më e madhe, pasi Petrit Rushiti e ka qëlluar transversalen gjatë pjesës së parë.

Tabela
1. Prishtina-52
2. Hysi-48
3. Besa-36
4. KEK-u-36
5. Trepça-35
6. Liria-33
7. Trepça ’89-32
8. Ballkani-29
9. Drenica-28
10. Vëllaznimi-26
11. Flamurtari-23
12. Ferizaj-21

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›