Vejsiu: Licencë për të zhvilluar konsultat me pagesë
Kurset private, mësuesit që spaguajnë kryejnë evazion fiskal
Shpresa Mezini
Ligji nuk i ndëshkon kurset private si koncept, por mënyrën sesi zhvillohen ato. Specialistët e arsimit sqarojnë për gazetën Shqip se kjo praktikë pune njihet në të gjithë botën, ndërsa diferencën e bën pagesa ose jo e taksave.
Eliminimi i kurseve private të palicencuara është trumbetuar vit pas viti nga Ministria e Arsimit, megjithëse në më të shumtën e rasteve ka rënë në vesh të shurdhër.
Nuk dënojmë kurset private që zhvillohen në përputhje me ligjin, por ato që e thyejnë atë, çka përbën evazion të pastër fiskal. MASH u jep mundësinë arsimtarëve të interesuar, të licencohen në zyrat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Mësuesit që përveçse janë të punësuar në shkollat parauniversitare publike ose jopublike, por që duan të zhvillojnë edhe konsulta private, duhet ti drejtohen QKR-së, e cila i njeh ata me dokumentacionin e nevojshëm. Nëse aplikanti plotëson kushtet dhe konsiderohet i aftë për të zhvilluar kurse private, licencohet, për rrjedhojë e ushtron aktivitetin në mënyrë të rregullt, pasi paguan taksat në shtet, thotë drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu. Ai thekson se fakti që disa mësues zhvillojnë konsulta në kushtet e shtëpisë apo edhe në ambiente të tjera është plotësisht abuziv, pasi konsiderohet si pagesë dyfishe për të njëjtin shërbim. Mirëpo mësohet se edhe nëse një mësues e deklaron këtë aktivitet si subjekt tatimor, në përputhje me ligjin, ai është i ndaluar rreptësisht ti japë mësim privatisht nxënësit që mëson në shkollën ku është i punësuar me kohë të plotë ose të pjesshme.
Në vend numërohen qendra të licencuara, që ofrojnë kurse private për lëndë të ndryshme gjatë gjithë vitit, por sidomos gjatë periudhës së maturës shtetërore, kur nxënësit janë edhe më të interesuar për të thelluar njohuritë në lëndët për të cilat do të testohen. E njëjta situatë paraqitet edhe në ciklin 9-vjeçar, i cili përmbyllet vetëm pas testimit në provimet e lirimit. Nëse do të respektohej ligji, nuk do të ekzistonin këto mënyra të padrejta përfitimesh. Më pas janë prindërit ata që vendosin të paguajnë ose jo për një shërbim që nxënësit e kanë falas gjatë gjithë vitit, por sidomos në periudhë pushimesh, kur orët suplementare janë edhe më të shpeshta, theksoi Vejsiu.
Nga të dhënat rezulton se monitorimet për të verifikuar nëse mësuesit zhvillojnë ose jo kurse private në ambientet e shtëpive apo edhe të vetë shkollës, kryhen nga Inspektorati Kombëtar i Arsimit Parauniversitar, i cili në përputhje me dy urdhrat e MASH Për konsultat private si gjatë sezonit të maturës apo të atij të testeve të lirimit, merr masat e nevojshme për shkelësit e ligjit.
Vejsiu: Licencë për të zhvilluar konsultat me pagesë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email