E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vejusha gazmore shqiptare ne opera

TOB Ngjarjet e operetës me tri akte janë përshtatur me Shqipërinë e ditëve tona

Ngjarjet janë përshtatur në Shqipërinë e ditëve tona. Madje kalojnë edhe në të ardhmen. Personazhi kryesor, Ana, është shqiptare gjithashtu. Regjisori austriak Christian Papke ka vendosur ta sjellë kështu operetën me tri akte “Vejusha gazmore”. Premierë absolute në Tiranë, opereta për herë të parë është vënë në skenë në vitin 1905 në Teatrin e Vjenës. Me muzikë të Franz Lehar, libret të Victor Leon dhe Leo Stein, skenografi të Aloise Gille, dirigjent kori Dritan Lumshi e ilustrim koreografik Rovena Shqevi, vepra vjen në skenën shqiptare nën dirigjimin e Deniola Kurajas, njëkohësisht edhe pianiste. Vepra, e cila do të vihet në skenë më 23 dhjetor, do të ngjisë artistë të rinj të lirikës shqiptare, të cilët janë pjesë e projektit të të rinjve që po aplikohet në disa institucione të artit e kulturës në Tiranë.

Gjatë një konference për shtyp, paraditen e djeshme regjisori Papke ka treguar se për çfarë bën fjalë vepra me të cilën publiku shqiptar do të njihet për herë të parë. Ai tregon se në qendër të saj është Ana, (Dorina Selimaj e Ardita Meni), një vajzë e re nga Shqipëria që është larguar herët së bashku me prindërit nga Tirana për në Francë dhe Danilo, (Erlind Zeraliu) vjen nga një familje tradicionale franceze. Ata janë një çift i dashuruar, por për disa arsye lidhja e tyre do të shkëputet. Dy origjina të ndryshme: një e vjetër aristokrate perëndimore dhe një e re e thjeshtë nga juglindja europiane ndeshen me njëra-tjetrën. Por dashuria mbase do t’i kishte kapërcyer pengesat, nëse nuk do të ndërhynin prindërit e Danilos, me botëkuptimin dhe paragjykimet e vjetruara. Martesa mes Danilos dhe Anës anulohet dhe lidhja e tyre prishet. Danilo jepet pas aferave të ndryshme. Kurse Ana vendos të marrë më të mirën nga ajo që mund t’i ofrojë Perëndimi sipërfaqësor: sigurinë financiare. Prandaj martohet me një burrë pasanik, bankierin plak Glavari. Pas vdekjes së tij, Ana bëhet trashëgimtare e një pasurie të madhe. Ambasadori francez në Tiranë ka frikë se mos ajo martohet për herë të dytë, duke larguar pasurinë e saj të konsiderueshme nga Franca, çka mund të shpinte në një falimentim përfundimtar të disa bankave europiane. Ai e fton në Tiranë, me qëllimin që ta lidhë në martesë me njërin prej funksionarëve të ambasadës së tij, që fati e do të jetë Danilo... Opereta me tri akte “Vejusha gazmore” do të ngjitet në skenën shqiptare duke filluar prej datës 23 dhjetor e për të vazhduar deri më 26 të po këtij muaji.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›