Veliaj: Dado ka shkelur ligjin duke regjistruar hetimin dhe porositur arrestin në të njëjtën ditë

TIRANË, 27 shkurt/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një intervistë me shkrim për një medie nga ambientet e paraburgimit në Durrës, foli në lidhje me sulmet dhe reagimet ndaj prokurorit të çështjes së tij, Olsi Dado.
I pyetur se përse e evidentoi konfliktin e interesit me prokurorin Dado vetëm në sallën e gjyqit, Veliaj u shpreh se “dita e gjyqit ishte edhe dita e fillimit të hetimeve”.
“Absurde apo jo? Pra, gjer në atë ditë, prokurori shpenzoi një vit e gjysmë duke bërë ‘ca verifikime’; pra, një hile për të bërë hetim për Nesti Angonin, që nuk ekziston, pa e regjistruar kurrë emrin në regjistër. Po të shikosh të ashtuquajturin kallëzim do çuditet i madh e i vogël se në bazë të kësaj letre bakalli, kryetarit të bashkisë më të madhe në vend i ka kaluar e gjithë jeta e tij, nga rinia e deri më sot, jo në një skaner, por në një MRI”, tha Veliaj.
Sipas tij, “nga zelli i madh, prokurori ka shkelur ligjin, Kodin e Procedurës Penale dhe çdo normë tjetër ligjore, duke regjistruar hetimin dhe porositur arrestin në të njëjtën ditë”.
“Imagjino zellin e madh, kur ashtu siç njoftonin me sms e telefonata familjen time ditë të shtunë, po kështu vendosën burgosjen time në ditë të dielë. Pas shumë peripecive, brenda Prokurorisë së Posaçme, ku gjenden plot zonja e zotërinj me integritet dhe profesionalizëm, më në fund arritën të gjejnë një prokuror për të kryer ekzekutimin tim politik”, u shpreh Veliaj.
Veliaj theksoi se “pas 3 ditëve në izolim total, mundësia e parë për t’u përballur me prokurorin-ndërtues si person nën hetim qe dita e gjyqit”.
“Leja e tij e ndërtimit është fakt dhe debatet për lejen i pranoi edhe vetë. Eshtë konflikt i pastër interesi dhe ia thashë me rastin më të parë që m’u dha, në mes të klithmave histerike ‘ndyrësirë… gënjeshtar patologjik… do të ta tregoj unë ty… do ta bëj edhe këtë surprizë’ etj., etj.”, shtoi ai.
Veliaj tha se “pas akuzave dhe më pas ndjesës së Saliut, Olsi vendosi të kalojë nga kostumet e tij, te fustanet e bashkëshortes sime”.
“Si e shpjegon që Saliu, pasi poqi 26 vetë në Gërdec, vrau me plumba në mish 4 njerëz me duar në xhepa e që s’ka kërkuar falje për krime monstruoze, i kërkon falje dhe fshiu postimin për Ols Dadon dy ditë përpara se Olsi t’i dorëzonte kokën time? Mos u bëni naivë e të mos i fyejmë inteligjencën njëri-tjetrit. Kishte 500 ditë me Nesti Angonin, zgjodhi fillimin e fushatës”, shtoi ai.
I pyetur nëse ka pasur dijeni për shpenzimet e bashkëshortes Ajola Xoxa, Veliaj tha se “janë të gjitha të deklaruara me taksa, dogana e TVSH në rreth dy dekada”.
“Bashkëshortja ime vjen nga një familje e nderuar, e pasur dhe me 17 vjet karrierë në studio e biznes privat. Ka shpenzuar prej të ardhurave të saj vetëm 50,000 lekë në muaj nga karta e saj personale, në total 7 milionë lekë të reja në rreth një dekadë. Të mbledhësh gjithë bilancet vjetore të 7-8 enteve që merren me teatro, skenografi, videoklipe, opereta, mjuzikalë, sfilata mode, photo shooting, dhe garderobat skenike në 17 vite t’i trajtosh si personale në një ditë, është ligësi e misogjeni. Janë të gjitha të deklaruara nga secili ent, me taksa, dogana e TVSH në rreth dy dekada”, tha ai.
Veliaj tha se fakti që nuk kanë gjetur asnjë gjë për të, ka bërë që të merren me gruan e tij, me arsyen e vetme për ta hequr nga fushata zgjedhore.
“Pra, nuk kemi asgjë në një veting 20-vjeçar, të vetmin në Republikë, për të shoqin Erion Veliaj, dhe tani do t’i qepemi gruas, lodrave të djalit, makinës së vjehrrit të vdekur, vëllait, nënës – kujtdo, vetëm ta heqim nga fushata këtë që na mundi thellë në 2015, 2017, 2019, 2021, 2023 dhe (sapo të dal nga këtu) edhe në 2025, në një Tiranë më të pastër, më të bukur, më të vlerësuar ndërkombëtarisht, me 45 shkolla ultra moderne, plus 110 kopshte e çerdhe, Teatër të ri, Shesh të ri, Park të ri, Bulevard të ri, Unazë të re, Kala të re, Kopsht të ri Zoologjik, që Saliu-Luli-Olsi as kishin ide e kurajo t’i bënin”, theksoi Veliaj.
I pyetur mbi takimin e kryeministrit Edi Rama me stafin e bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, Veliaj tha se u emocionua pa masë.
“Kemi një bilanc të qartë. 7 fitore rresht në Bashkinë e Tiranës dhe nga mesjeta e kemi bërë Kryeqytet Europian të Rinisë në 2022, të Sportit në 2023, të Kulturës sot, Giro d’Italia e komuniteti politik Europian nesër. Unë nuk e di a mund të ketë një vlerësim më të madh sesa ai që Kryeministri i vendit të kujdeset për vijimin e punëve të pasionit e dashurisë së madhe të jetës sime – Tiranës”, tha ai.
Lidhur me akuzat e opozitës që arkiva me dokumente e bashkisë së Tiranës po asgjësohet dhe po zhvendoset me kamionë, Veliaj iu përgjigj: “Prej disa vitesh parkohet në lulishten para bashkisë një hermafrodit nga PD-ja, një si biçim gjys-burrë/gjys-grua, një si tip Ols Dado, por me flokë, njëfarë Kalaje e rrënuar nga hordhitë imagjinare, që kamionin i cili shkon çdo javë në Arkivën Qendrore e sheh si kuti votimi që varros PD-në ende pa nisur fushata, dhe që tymin e kaldajës së sapondezur e merr si tymi i Vatikanit, që i thotë “Habemus Papam” – dhe Edi Rama e PS-ja fituan mandatin e 4-t, ndërsa këneta me bufin do vazhdojnë edhe 4 vite zgërlaqje e zvarritje në llucë. Ndjesë që s’të jap dot përgjigje serioze për Ols Kalanë – janë njësoj, dy personazhe tragji-komike, që kanë më shumë hall t’i pëlqejnë Saliut, se t’i ruajnë cipën fytyrës së tyre”.
/m.m/r.e/