Veliaj: Duhet një ndihmë standarde prej 10 milionë lekësh
Dy parti të tjera të opozitës kanë kërkuar nga qeveria shqiptare që të nxjerrë përgjegjësit e katastrofës, si dhe të kompensojë banorët
G99
Kryetari i Partisë G99, Erjon Veliaj, i kërkoi dje qeverisë që të kompensojë këto ditë, me një ndihmë standarde prej 10 milionë lekësh, secilën nga familjet e prekura nga përmbytjet. Përmes një konference për shtyp, Veliaj kërkoi edhe që familjet e përmbytura në veri të vendit të kompensohen nga qeveria me vlerën 250 mijë lekë për çdo metër katror ndërtim, si dhe kompensimin e plotë për të mbjellat dhe gjënë e gjallë. Po kështu në komunikimin me median, Veliaj kërkoi edhe dorëheqjen e ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti, duke e quajtur atë përgjegjësin kryesor për gjendjen e rëndë që po kalojnë banorët e zonave të përmbytura.
“Papërgjegjshmëria e ministrit Prifti në shkeljen e sigurisë është e mjaftueshme që ai të largohet sa më parë nga qeveria”, deklaroi Veliaj. Sipas tij, është e turpshme për Priftin dhe për Kryeministrin Berisha, theksoi Veliaj, që t’ia venë fajin për këtë situatë Afrikës, ngrohjes globale apo natyrës. Veliaj theksoi se nga kjo situatë u kuptua në këtë vend se është emergjent zbatimi i një politike të qartë për sigurinë e jetës njerëzore, politikë e cila mungon totalisht.
PDK
Me anë të një deklarate për shtyp, Partia Demokristiane “kërkon që qeveria shqiptare dhe institucionet përgjegjëse të marrin të gjitha masat, së pari për të shpëtuar jetët e rrezikuara të njerëzve në fshatrat e përmbytur dhe së dyti ndjekjen me përgjegjësi të situatës orë pas ore, për të kufizuar me sa të jetë e mundur dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e tanishme dhe të pritshme”. Sipas PDK-së, situata e rëndë e krijuar nga përmbytjet mund të ishte evituar nëse situatës do t’i bëhej një menaxhim preventiv dhe me përgjegjësi, duke mos pritur tejmbushjen e liqeneve mbi lumin Drin dhe shkarkimin e sforcuar të ujërave, aq më tepër që infrastruktura kulluese e lënë pas dore nuk mund të përballonte as shirat e rënë natyrshëm gjatë javëve të fundit.
Qeveria shqiptare dhe autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e situatës edhe njëherë treguan papërgjegjshmërinë dhe paaftësinë e tyre në menaxhimin dhe përballimin e situatës kritike të krijuar nga reshjet e vazhduara, duke u shkaktuar dëmtimin e pronës dhe rrezikimin e jetës mijëra familjeve shqiptare. PDK i kërkon qeverisë shqiptare të llogarisë dëmin e shkaktuar nga përmbytjet dhe të dëmshpërblejë të gjitha familjet e dëmtuara”.