E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për librin "Maqedonia në darën e krizave" të autorit Ylber Lili

Pas dështimit të shteteve totalitare dhe me demokratizimin e tyre u hap një mundësi e re për shprehje të lirë të mendimit. Koha e re nxori në shesh shumë gazetarë, opinionistë, analistë të rinj, që informonin opinionin sipas aftësive dhe përcaktimeve të tyre në shoqëri. Mirëpo, siç ndodh gjithnjë, këto analiza shpeshherë ishin fryt i imagjinatës së tyre, ose në versionet e skajshme, fryt i interesave të tyre konkrete. Edhe gazetaria, ngjashëm me kategoritë e tjera profesionale publike, treguan dobësi ndaj korrupsionit. Gazetaria e periudhës së shprehjes së lirë sot e gjithë ditën vuan nga mungesa e hulumtimit të njëmendtë të temës që trajtohet, nga zëvendësimi i hulumtimit me imagjinatë, si dhe nga mundësia joshëse e korruptimit. Shumë analistë në fakt nuk janë të tillë. Ata realisht janë njerëz që dinë të shkruajnë në mënyrë të logjikshme, të ndërtojnë në mënyrë formale argumentin, por u mungon verifikimi i premisave kryesore. Natyrisht se në mesin e tyre ka analistë, opinionistë të racës, që me guxim dhe në vazhdimësi i analizojnë fenomenet, proceset dhe shkarjet e ndryshme nga rregullat e shkruara dhe të pashkruara.
Njëri nga ata është edhe Ylber Lili, i cili në një kohë të gjatë me guxim analizon zhvillimin e procesit politik e shoqëror të Maqedonisë në tërësi. Ai, si në kohët e dikurshme me analizat e veta me siguri i shqetëson të shqetësueshmit. Për këtë guxim ai, madje u stolis me akuzën e personit të padëshirueshëm për Maqedoninë, pa asnjë argument, madje pa procedurë gjyqësore. Në librin e tij analitik, por edhe me tharm publicistik, jepen argumente të detajuara që shpjegojnë ngecjet në ndërtimin e shtetit multietnik mbi baza demokratike dhe ligjore. Pa dyshim se rëndësia e këtij libri konsiston në ndriçimin e shumë fakteve qysh prej pavarësimit të Maqedonisë dhe deri më tani. Në analizat e tija, ai arrin që ta shohë malin përmes drunjve, pra të ofrojë sintezën e të gjitha dukurive që shfaqen në këtë shtet të brishtë.
Gjithashtu ai prek temën kryesore të shteteve multietnike që vuajnë nga sindroma e njëjtë: pamundësia e ndërtimit të shtetit mbi premisat e reja. Ylber Lili, në cilësinë e gazetarit dhe të ligjëruesit universitar, në thelb prek dy tema që vështirësojnë shtetformimin në Maqedoni. Tema e parë ka të bëjë me raportet ndëretnike, kontestet historike, konceptin e shtetit etnocentrik, përkatësisht me zvarritjet në procesin e zgjidhjes së çështjes shqiptare. Krahas objektit të parë të analizës së tij, pra të Maqedonisë në tërësi, ai e skenon edhe subjektin politik shqiptar që shpeshherë tregon shenja brengosëse të oportunizmit. Të hapësh këto tema si gazetar që është shtetas i një shteti të huaj, lyp guxim profesional, dije si edhe këmbëngulësi. Pa dyshim Ylber Lili i ka të gjitha këto veti.
Ai regjistron, analizon, paralajmëron dhe shpeshherë ofron zgjidhje. Gjithashtu, analizat e tij të thukëta, të ndërtuara mbi premisat e analizuara dhe të verifikuara drejtpërdrejt bëjnë autopsinë e politikës maqedonase, të përshkruara me mite, pretendime megalomane, jo reale, me tendenca të vazhdueshme dhe të pasuksesshme që mëtojnë t’i margjinalizojnë shqiptarët. Pas leximit të këtij libri do ta keni më të qartë se çfarë po ndodh realisht në këtë shtet, që lehtë e fitoi pavarësinë, por vështirë do ta mbajë atë. E përbashkëta e të gjitha këtyre shkrimeve është porosia, në thelb dashamirëse, se ndërtimi i shtetit multietnik në mënyrë brengosëse sa vjen dhe po zvetënohet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›