Islandezët, kundër kthimit të parave britanikëve e holandezëve, për shkak të falimentimit të bankës
Anëtarësia e Islandës në Bashkimin Europian është vënë në dyshim pas vendimit të marrë nga presidenti i vendit në lidhje me bllokimin e ligjit që do të lejonte pagesën e miliarda eurove investitorëve britanikë dhe holandezë, që pësuan humbje në kolapsin e bankës “Icesave”. Por dje është vendosur për një mbledhje urgjente të Parlamentit islandez të premten dhe për planet e një referendumi në lidhje me këtë ligj që ka hasur shumë kundërshtime. Qeveria islandeze dhe partitë e opozitës do të hartojnë një legjislacion për të lejuar organizimin e referendumit.
Ligji në lidhje me shlyerjen e kreditorëve holandezë dhe britanikë të bankës “Icesave” do të votohet pikërisht pas refuzimit të Presidentit të vendit për ta nënshkruar atë. Ndaj këtij ligji ka pasur një kundërshtim shumë të madh nga ana e opinionit publik islandez. Sipas tij, Islanda duhet që t’u paguajë dy vendeve të sipërpërmendura 5 miliardë dollarë.
Argumentet e kundërshtimit janë se termat e kësaj pagese janë shumë të rënda dhe do të dëmtonin keqas ekonominë e vendit. Ministrat e qeverisë janë mbledhur së bashku me partitë e opozitës pas njoftimit të së martës së Presidentit të vendit për të diskutuar në lidhje me progresin. Shpresohet se një ligj i ri në lidhje me referendumin do të hartohet brenda ditës, në mënyrë që t’u mundësojë votuesve një votë referendare sa më të shpejtë.
Për sa i përket vendimit të Presidentit, ai e bëri të ditur atë përmes një fjalimi në televizion, i cili tha se e kishte marrë vendimin duke u nisur nga kundërshtia e madhe që kishte hasur ky ligj në popull. Sipas Presidentit, njerëzit nuk duan që të paguajnë nga xhepat e tyre për dështimin e bankave që nuk ka ndodhur për faj të tyre.
Korrikun e kaluar, Islanda bëri një marrëveshje me Lodrën dhe Hagën në lidhje me pagesën që duhet t’u bënte atyre pas humbjeve të mëdha me falimentimin e një banke vendase. Sipas termave të marrëveshjes, shuma do të paguhej përgjatë një periudhe 15-vjeçare. Sipas një përllogaritjeje, çdo familje islandeze, për të bërë shumën e kërkuar, duhet të paguajë 45 mijë euro. Ndërkohë, populli i Islandës ka qenë kundër një veprimi të tillë, që do të rëndonte shumë ekonominë e vendit.