E Diel, 1 Nëntor 2026

Trebicka, 2 personat që e thirrën në takim

 

Kosta Trebicka pritej të shkonte në Leskovik, mbrëmjen e 11 shtatorit për biznesin e gurëve dekorativë

Eduart Culani dhe Artur Shehu, ndër të fundit që biseduan me të në telefon. S’pranojnë të flasin

LESKOVIK- Mbrëmjen e 11 shtatorit, Kosta Trebicka pritej të mbërrinte në Leskovik. Që nga Tirana kishte planifikuar takimin me dy ortakë të mundshëm biznesi gurësh dekorativë në këtë qytezë, dy djem rreth të 30-ave. Quhen Eduart Culami dhe Artur Shehu të njohurit e Kosta Trebickës në Leskovik, ndër të fundit që kanë folur në telefon me të. Tema e bisedës? Epo djemtë refuzojnë të flasin për telefonatat me Trebickën, që prej momentit që mësuan vdekjen e tij misterioze. I shmangen çdo kontakti me “Shekullin”, ndaj edhe detyrohemi të takojmë babanë e njërit prej tyre për të hedhur më shumë dritë për arsyen e udhëtimit të planifikuar të Trebickës drejt Leskovikut, e ç’është më e pashpjegueshmja, devijimin e tij në drejtim të hotelit “Akademia” në Voskopojë, për t’u gjetur i vdekur mesditën e 12 shtatorit.

***

Në qytezën e vogël të Leskovikut, duket se kushdo është në dijeni të njohjes së vjetër të Kosta Trebickës me Eduart Culamin dhe Artur Shehun. Vizita e tij, një muaj më parë nuk ka kaluar pa u vënë re nga vendasit, të cilët shtojnë se Trebicka ka qenë edhe për gjah, i shoqëruar prej këtyre djemve. Këtëfakt e pohon për “Shekullin” edhe babai i Artur Shehut, i cili thotë se është prezantuar me biznesmenin nga dy djemtë që janë shokë me njëri -tjetrin. Fredi Shehu, mjek pediatër në Leskovik na thotë se Trebicka ka folur me Eduartin, të enjten pasdite në telefon. “Ne e prisnim të vinte në Leskovik, por nuk mbërriti kurrë këtu. Edi ka folur me të, por unë nuk di çfarë kanë komunikuar, pasi as djali im, Arturi dhe as shoku i tij, Eduarti nuk tregojnë se për çfarë kanë folur me të”,- thotë Fredi Shehu.Sipas mjekut, pas tragjedisë së ndodhur, të dy djemtë nuk pranojnë të flasin për këtë çështje me askënd. Doktori nuk di të shpjegojë se ç’e shtyu Kosta Trebickën të ndryshojë destinacionin e udhëtimit në momentin e fundit, duke shmangur Leskovikun ku e prisnin, për të shkuar në errësirë drejt Voskopojës.

***

Ndërkohë, Eduart Culami dhe Artur Shehu refuzojnë në mënyrë kategorike të rrëfejnë bisedën ndërmjet tyre dhe Kosta Trebickës, bisedë që mendohet të jetë kryer në mbrëmjen e së enjtes. Megjithëse të lë takim, Eduart Culami nuk paraqitet, duke u justifikuar se i doli një punë e ngutshme. Edhe shoku i tij, Artur Shehu nuk pranon të flasë për miqësinë e tij me biznesmenin e vdekur në rrethana të mistershme jo vetëm me gazetarët, por as me të atin. Megjithatë, largimi i Kosta Trebickës nga Tirana, të enjten e javës së kaluar vetëm me gjuetinë që nuk kishte lidhje. Vizita në Leskovik të bind se Trebicka e kishte planifikuar fundjavën për biznes dhe jo për gjueti, që qenin e gjahut, Xhinën e kishte marrë me vete për shoqëri e çiften, ndoshta për t’u mbrojtur. Ndryshimi i planit të tij për të mos shkuar në Leskovik, por në Voskopojë mbetet po aq misterioz sa edhe vdekja, e askush nga grupi i hetimit nuk është përpjekur të ndjekë gjurmët për të zbardhur këtë mister. Megjithëse kanë mësuar nga pronari i hotelit në Maliq, Genci Sulemani se Kosta Trebicka do të udhëtonte drejt Leskovikut, policët dhe prokurorët e grupit të hetimit duket se e kanë injoruar këtë devijim të udhëtimit, duke mos marrë në pyetje dy djemtë që e prisnin të ndjerin në Leskovik.

-----------------------------------------------------------------------------------------------------Fredi Shehu rrëfen arsyet e vizitës së planifikuar të Trebickës në Leskovik. “Devijimi i destinacionit, i pashpjegueshëm”

“Kostën e prisnim në Leskovik më 11 shtator”

LESKOVIK- Kosta Trebickën e ka njohur vite më parë. Ia ka prezantuar i biri, Arturi dhe kaq është dashur për të ndarë me të pasionin e përbashkët për gjuetinë. Mjeku pediatër, Fredi Shehu e priste Trebickën në shtëpinë e tij, mbrëmjen e 11 shtatorit dhe ende nuk e ka kuptuar pse biznesmeni ndryshoi drejtim, për t’u gjetur i vdekur në Lekas të Voskopojës. Në një intervistë për “Shekullin”, Fredi Shehu rrëfen qëllimin e vizitës së planifikuar të Kosta Trebickës në Leskovik si dhe dyshimet e tij për “aksidentin” e mistershëm që i mori jetën.

Zoti Shehu, kur jeni takuar për herë të fundit me Kosta Trebickën?

Ekzaktësisht datën nuk e mbaj mend, por kontakti ynë i fundit duket të ketë qenë gjatë këtij muaji, kur Trebicka erdhi në Leskovik. Shkuam për të parë llixhat e qytetit. Atë ditë kemi foluar edhe për atë çfarë Kosta kishte denoncuar dhe unë e paralajmërova, por nuk më dëgjoi. Duke ditur se çfarë kishte thënë, unë i thashë të ikte nëAmerikë dhe të kthehej kur të fillonte gjyqi për aferën e armëve që pati denoncuar. Këshillën time si shok, Kosta e shpërfilli, duke besuar në konceptet e jetës amerikane. Këshillën time për të ikur nga Shqipëria e neglizhoi dhe ndodhi ajo që ndodhi, ajo që për mua, vetëm aksident nuk është. Për aq sa e njoh unë Kostën, ishte jo vetëm gjuetar i zoti, por edhe shofer shumë i kujdesshëm dhe është e pamundur që ai të ketë bërë aksident në atë rrugë.

Gjatë bisedës tuaj të fundit, u ka thënë Kosta që ishte i kërcënuar?

Jo. Nuk më ka konfirmuar një gjë të tillë, por unë duke hequr mbi kurriz disa gjëra, e kam këshilluar që të ikte nga Shqipëria.

Kur ka qenë hera e fundit që ju keni komunikuar me Trebickën?

Unë nuk para komunikoja me të në telefon. Por e prisja si mik, kur vinte në shtëpinë time. Hera e fundit që ka komunikuar me telefon, ka qenë me djalin dhe një shokun e tij.

Dhe kur kanë folur ata për herë të fundit?

Nuk jam i sigurt për t’ua thënë ekzaktësisht. Por di që ky komunikim mes tyre mund të ketë ndodhur atë ditë që Trebicka është gjendur i vdekur, ose një ditë më para. Ata prisnin që Kosta të vinte në Leskovik.

Cila ishte arsyeja e udhëtimit të Kostës në Leskovik ?

Ai do të vinte këtu që të hapte një front pune në Leskovik. Është një gurore këtu, që ka qenë e shfrytëzuar për pak kohë nga disa grekë dhe Kosta kishte ndërmend ta rihapte këtë gurore. Kosta kishte ndërmend të hapte këtë front pune për të punësuar disa njerëz dhe ndër ta edhe djalin tim, Arturin, së bashku me shokun e tij. Pikërisht për këtë qëllim do të vinte këtë herë në Leskovik, për të parë guroren dhe mundësitë për të eksportuar në Greqi. Kjo është ajo që unë di, por djemtë, pas asaj që ndodhi nuk pranojnë të flasin për këtë. Ne e prisnim që të vinte këtu, por të premten në darkë dëgjojmë për tragjedinë e ndodhur.

Ju thoni se e prisnit në Leskovik, çka përkon me atë që Kosta i ka thënë një mikut të tij në Maliq. Si e shpjegoni ndryshimin e destinacionit të tij?

Nuk mund të gjykoj dot për këtë. Unë nuk kam komunikuar direkt me të, që të them ndonjë gjë në lidhje me ndryshimin e destinacionit të tij, kur ne e prisnim që të vinte këtu. Por ajo që unë them me siguri të plotë, është fakti që Kosta ka qenë tepër korrekt, jo vetëm me axhendën e tij, por edhe me shoqërinë. Kështu që nuk di të them tamam pse ka ndryshuar destinacionin e tij. Ajo që unë mendoj, duke njohur Kostën, them se ka të bëjë me tërheqjen në një kurth, me dashje apo pa dashje dhe Kosta nuk ka hezituar të ndryshojë destinacionin. Më bën shumë të dyshoj edhe ajo që thuhet, se në ato zona ku u gjet i vdekur ka dalë për gjah dhe nuk ka telefonuar apo takuar asnjë prej miqve të tij. Për të dalë për gjah, sidomos gjahu i shpendëve është tepër i vështirë, Kosta nuk e bënte kurrë vetëm këtë. Dhe me aq sa e kam njohur unë, është tepër e pabesueshme që të bënte aksident me atë fuoristradë.

Ju thatë se Kosta ka qenë këu edhe para një muaj. Ka ardhur për gjah apo për biznes?

Jo. Ka ardhur thjesht për të bërë biznes.Qëllimi i vizitave të tij në Leskovik ka qenë vetëm për punë, por edhe për gjah, nëse i tepronte kohë. Kosta ishte i apasionuar pas gjuetisë së shpendëve, sidomos të thëllëzave. Por herën e fundit, kur ne e prisnim të enjten, ka thënë se do të vinte vetëm për guroren, për të parë mundësinë e shfrytëzimit dhe të vënies në punë të saj.

Nga ajo sa ju dini, ku do të hapej gurorja?

Në një fshat këtu afër Leskovikut, Cerc quhej, rreth 3 kilometra në jug të qytetit. Deri në këtë moment, kjo ishte një ide ku Kosta do të investonte me marrjen e një makinerie dhe çunat do të punonin për shfrytëzimin e saj.

Po ju kur e keni mësuar vdekjen e Trebickës?

Siç ju thashë, ne e prisnim që të vinte në Leskovik. Shoku i djalit kishte biseduar me të dhe e dinim që Kosta ishte rrugës për të ardhur. Edi ka folur një ditë para tragjedisë me të dhe ajo që unë dija është se Kosta ishte nisur nga Tirana për punën e gurores. Ka qenë pasdite vonë, kur e kam marrë vesh çfarë kishte ndodhur. Bashkë me djalin ishim duke punuar tek një biznes i yni kur më vijnë dy shokë dhe më thonë çfarë i kishte ndodhur Kosta Trebickës. Ata nuk e dinin që unë e kisha shok dhe më thanë: Atë personin që denoncoi trafikun e armëve e kishin vrarë në një zonë afër Voskopojës. Kam ikur menjëherë në shtëpi dhe e kam ndjekur ngjarjen nga televizori.

Duke qenë se ju e prisnit Kostën në Leskovik dhe shoku i djalit tuaj kishte folur në telefon me të, nuk biseduat për këtë ngjarje?

Djali dhe miku i tij nuk pranojnë më të flasin për këtë çështje. Ajo që unë dija për bisedën e tyre, aq sa më kanë thënë, ua thashë. Ata nuk flasim më për këtë. Ndërsa për dyshimet e mia, unë jam i bindur që Kosta Trebicka nuk mnd të bënte aksident në atë rrugë, pasi kishte kaluar grykat e Gjergjovicës.

-----------------------------------------------------------------------------------------------------Eksperti amerikan, Kevin Teter ka kryer prova të tjera me makinën e Kosta Trebickës

Ekspertiza e makinës,  shpejtësia ende mister

KORÇË- Në ditën e dytë të qëndrimit në Korçë, eksperti amerikan ka përforcuar mendimin se makina e Kosta Trebickës është brenda të gjitha parametrave teknikë, ndërsa do të jetë shpejtësia ajo që do të përcaktojë të vërtetën e ngjarjes së 12 shtatorit. E ndërsa konsiderohet e rëndësishme për hetimin, shpejtësia e makinës në momentin e devijimit mbetet ende e pazbardhur. Ndonëse ekspertët amerikanë kanë vazhduar qëndrimin e tyre në qytetin e Korçës, nuk kanë dalë në përfundimin se me çfarë shpejtësie ecte makina, ndërkohë që përllogaritjet për këtë element që duket se është dhe thelbi i hetimit nuk i ka realizar ende as ekspertiza shqiptare. Në orët e para të mëngjesit të së shtunës mësohet që Teter, i shoqëruar nga kolegu tjetër amerikan, por dhe përfaqësues të prokurorisë së Korçës i janë rikthyer makinës me të cilën udhëtonte bizesmeni shqiptaro-amerikan Kosta Trebickaqë ndodhet e bllokuar në cilësinë e provës materiale, në ambientet e brendshme të Drejtorisë së Policisë në Korcë. Për më shumë se 6 orë eksperti amerikan Kevin Teter është angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me ekspertizën e makinës duke u ndalur në analiza të imtësishme të motorit të saj. Gati një javë pas ngjarjes, por edhe pas ekspertimeve të bujshme të specialistëve tëardhur enkas nga SHBA, nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga ana e prokurorisë së Korçës rreth asaj që ka ndodhur me viktimën dhe shkaku real i kësaj vdekje nëse është nga aksidenti, apo është kamufluar nëpërmjet tij. Por sikur të mos mjaftonte kjo ekspertët nga ana e tyre nuk kanë arritur në përfundimin se me cfarë shpejtësie lëvizte mjeti në momentin e ngjarjes që vazhdon të cilësohet si aksident nga ana e policisë.

“TREBICKA”   Grupi hetimor, analizë para Ina Ramës

TIRANË- Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e vdekjes së biznesmenit Kosta Trebicka “rrëfehet” para Prokurorës së Përgjithshme, Ina Rama. Sipas burimeve zyrtare pranë organit qendror të akuzës, grupi hetimor, i përbërë nga prokurorë të Korçës, të Prokurorisë së Përgjithshme, drejtues të Policisë së Shtetit dhe ekspertë të fushave të ndryshme kanë raportuar të gjitha detajet e ngjarjes para kryeprokurores. Pasi ka dëgjuar anëtarët e grupit të hetimit, kryeprokurorja Rama ka kërkuar vazhdimin e hetimit në mënyrë të detajuar: “për të mos lënë shteg për aludime”. Ndërkohë, eksperti amerikan Kevin Teter po vazhdon me përpilimin e raportit të tij përfundimtar për shkakun e vdekjes së Trebickës. Pas takimit të djeshëm, ekspertët shqiptarë do të kryejnë edhe njëherë të gjitha veprimet e përfunduara deri më tani të ekspertimeve të ndryshme përfshirë këtu edhe atë të ekspertimit auto-teknikë të makinës tip “NISSAN” me targa TR 8843 J, nga përmbysja e të cilit sipas ekspertëve mjeko ligjor ka gjetur vdekjen Trebicka. Ndërkaq, ekspertimi i fundit i kryer nga ekspert shqiptar dhe ai amerikan, është ajo e makinës së Trebickës ku pas ekzaminimit të kryer ka rezultuar se makina është në rregull dhe nuk ka pasur ndonjë defekt që mund të sillte aksidentin e pretenduar.F.Vezaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›