Veliaj: Nano vazhdon ta shohë Shqipërinë nga Vjena. Nuk tha kurrë gjë për Gërdecin dhe 21 janarin
Sekretari për Rininë dhe Emigracionin në PS, Erion Veliaj, i cilëson thjesht një dëshpërim të shuarjes së ëndrrës presidenciale, akuzat dhe nismën e Fatos Nanos për rimarrjen e kreut të PS-së . Veliaj, duke e konsideruar diçka momentale, shtoi se Fatos Nano nuk ka as të drejtën morale të bëjë diçka të tillë, pasi sipas tij, një pjesë e dështimeve të PS kanë kontributin direkt të personit të tij.
Është një gjendje emocionale që reflektohet në deklarata të shpeshta. Më duket thellësisht e padrejtë. Është fakt që kur Nano kumbi në 2005, PS mbeti me 35 deputetë, dhe pasi Edi Rama mori drejtimin shkoi në 66. Është fakt që PS në 4 garat e fundit është partia me më shumë vota. E morëm PS nga një humbje shumë e thellë dhe kemi dalë në sipërfaqe, nëse vazhdojmë kështu ne do të fitojmë bindshëm zgjedhjet. PS ka qenë koherente për të pasur një President jopolitik dhe konsensual. Nuk kishte mbështetje nga mazhoranca dhe PS nuk do ta zgjidhte dot me votat e saj edhe nëse do ta kandidonte. Ne nuk bënim dot një autogol, të ndërronim rregullat gjatë lojës. Nano nuk e ka ndihmuar PS, nuk mund ta bashkojë PS duke hequr copa, është diçka e momentit, është rezultat i mungesës së tij 7 vjeçare. Shqipëria e parë nga Vjena është shumë ndryshe. Nuk tha asgjë as për Gërdecin dhe as për 21 janarin. Pas kalimit të avarisë së Presidentit jam i sigurtë se do qetësohen gjakrat, tha Veliaj për Ora News.