E Hënë, 2 Nëntor 2026

Veliaj: SPAK me akuza qesharake! Kryebashkiaku vlerëson punën e ish zv.ministres Genta Sula

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vazhdon të reagojë nga qelia për akuzat që SPAK ka ngritur ndaj tij.

Kësaj radhe ai ka bërë një sqarim për një udhëtim me avion charter në vitin 2004 me biznesmenin Gentian Sula, duke e quajtur sajesë pretendimin e SPAK se ky udhëtim u shpërblye vite më vonë me emërimin e bashkëshortes së biznesmenit në postin e zv/ministres.

“Unë kam qenë në avione, në të cilët kanë hipur me mijëra njerëz në 20 vite, ndaj kjo provë është po aq e dobët sa karakteri banal i Nesti Violinës, i cili me siguri do ta ketë përfituar vetë ndonjë promovim në detyrë përkundër ndonjë fluturimi me avion apo me pras, për punën a qejfin e dikujt tjetër”, shkruan Veliaj.

Veliaj thotë se bashkëshortja e biznesmenit, është një profesioniste, emri i së cilës nuk duhet të ngatërrohet me akuzat qesharake të prokurorit të çështjes.

“Genta Sula është një kryezonjë, kryenënë, tani edhe kryegjyshe, e për më tepër, një kryeprofesioniste nga ato që moçalit tonë i  provokojnë vrer e helm. Në ministri ajo drejtoi hapjen masive të zyrave të punës, riktheu në trend arsimin profesional, hapëm shkolla si ‘Herman Gmeiner’ për IT, që i pararendi TUMO-s e Piramidës, bëmë reformën e parë të pensioneve që shpëtoi arkën e shtetit dhe rriti pensionet, dhe në ditën e fundit së bashku, kaluam Ligjin për Hapjen e Dosjeve, që sigurimsat apo xhinsi i spiunave të Zylo Ramizit e morën me aq lemeri”, shtoi më tej.

Veliaj vijon më tej duke thënë se procesi ndaj tij është një padrejtësi që duhet të ndalet.

“Por, unë jam Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jo anëtar i Urdhrit të Psikologut dhe ky qafir burrë, që paguhet sa dyfishi im për të bërë drejtësi të re, duhet çuar tek psikologu përpara se të hyjë nën fustane të tjera. Padrejtësia diku, kthehet në padrejtësi kudo, ndaj kjo betejë do fitohet përditë e nga çdokush që do një vend të drejtë”, shkruan kryebashkiaku.

Kryetari i bashkisë së Tiranës prej 12 shkurtit ndodhet në paraburgimin e Durrësit, pasi po hetohet për akuzën e ‘korrupsionit pasiv në 9 raste dhe pastrim parash.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›