E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj kërkon shfuqizimin e vendimit të Qeverisë dhe dekretit të Begajt për zgjedhjet në Tiranë: M’u mohua e drejta për mbrojtje

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nëpërmjet përfaqësuesve të tij ligjorë, ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave dhe dekretit të Presidentit të Republikës, që përcakton mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme më 9 nëntor në Bashkinë e Tiranës.

Në seancën e sotme, relatorja e çështjes Sonila Bejtja, deklaroi se Veliaj i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit pas vendimit të GJKKO-së për “arrest me burg” në kuadër të një hetimi të SPAK-ut, pretendon se ka qenë i përjashtuar nga çdo e drejtë për t’u njoftuar apo mbrojtur në procesin e shkarkimit nga detyra.

“Për vendimin e Këshillit të Ministrave: themeli i pretendimeve. Sipas kërkuesit VKM i cenoi të drejtën për proces të rregullt ligjor, në drejtim të së drejtës për tu dëgjuar dhe mbrojtur. Kërkuesi nuk është informuar nga Këshilli Bashkiak dhe as nga Këshilli i Ministrave për mbajtjen e mbledhjes ku do vendosje për shkarkimin e tij dhe shkaqet, si dhe nuk iu kërkua paraqitje provash për shkeljen e pretenduar. Kërkuesit nuk iu dha mundësia për tu mbrojtur gjatë procesit të shkarkimit.

Ai është njohur përmes medias, pa pasur njoftim zyrtar për të marrë pjesë në mbledhjen e  Këshillit Bashkiak.

Urgjenca me të cilën u krye procedura e shkarkimit, pa i dhënë mundësin të njihet me shkeljet, nuk justifikohet me mbrojtjen e interesit publik për ndonjë rrezik të menjëhershëm dhe as me vijimësinë e funksioneve të bashkisë.

 Diskutimi i shkarkimit të tij u trajtua si pjesë e një mbledhje të jashtëzakonshme ndonëse shkarkimi i tij s’mund të bëhet në këto kushte pasi nuk plotëson nevojën e urgjencës.

Mungesa e shqyrtimit të thellë dhe efektiv pa abalizmimin e shkakut të shkarkimit, nuk është vlerësuar rëndësia e ligjit të shkelur, pasojat e ardhura. Nëse masat e sigurimit personal do konsiderohet shkelje e rëndë, kjo do i shndërronte ato në instrumente politik për ndërprejen e mandatit dhe do sillte deformim të nocionit shkelje e rëndë e ligjit,” thuhet në argumentet e dorëzuara në Gjykatë.

Bejtja thekson se më tej, se sipas kërkuesit të çështjes, Veliaj informon se është njohur me vendimin vetëm përmes medias, pa marrë njoftim zyrtar për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, e cila sikurse shton ajo, zhvillua në mënyrë të jashtëzakonshme më 18 shtator, pas rreth shtatë muajsh mungesë fizike në detyrë për shkak të masës së sigurisë.

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Bejtja nënvizon se Veliaj pretendon gjithashtu se urgjenca me të cilën është zhvilluar procedura e shkarkimit ndaj Veliajt nuk justifikohej me asnjë rrezik të menjëhershëm publik apo me vijimësinë e funksioneve të bashkisë, ndërsa mungoi një shqyrtim i thelluar dhe proporcional i shkaqeve të shkarkimit.

“Nëse masa e sigurimit personal do të konsiderohej si shkelje e rëndë e ligjit, kjo do ta shndërronte atë në një instrument politik për ndërprerjen e mandatit dhe do të deformonte nocionin e ‘shkeljes së rëndë të ligjit’,” tha ajo më tej.

Sipas Bejtjas, Veliaj pretendon se Presidenti Bajram Begaj me dekretin e tij për bashkinë e Tiranës, ka marrë atributin e gjykatës.

“Dekreti i presidentit akt i kushtëzuar nga e drejta e ankimit brenda 15 ditëve sipas parimit kushtetues.

Kërkuesit thotë se dekreti cenon sigurinë juridike, rendin normativ, pasi ju heq palëve parashikueshmërine  e pasojave juridike, dobëson shtetin e së drejtës, cenon të drejtën për proces të rregullt ligjor dhe efektivitetin e mjetit mbrojtës.

Presidenti ka marrë rolin e autoritetit që përcakton kompetencën e gjykatave dhe raportin mes juridiksionit kushtetues dhe atij administrativ, duke vlerësuar në mënyrë të njëanshme se ankimi i kërkuesit duhet të bëhet në rrugë administrative duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve. Presidenti ka marrë atributin e Gjykatës”, tha ajo.

Veliaj iu drejtua Kushtetueses më 29 shtator me kërkesën për shfuqizimin e vendimit të Qeverisë, ndërsa më 2 tetor kërkesa u plotësua me shtimin e objektit për shfuqizimin e dekretit të Presidentit Bajram Begaj, i cili më 1 tetor kishte caktuar datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashkitë e vendit.

Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e dekretit të presidentit për Bashkinë e Tiranës, bashki e cila drejtohej nga Erion Veliaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›