Veliaj në Athinë: Vota kundër Berishës mbron kontributin e emigrantëve në Shqipëri

Takim me emigrantet ne Athine
Emigracioni gjatë këtyre viteve ka qenë edhe një nga shtyllat kryesore të ekonomisë tonë, pasi dërgesat e tyre përbëjnë mbi 12% të PPB-së tonë. Duke u nisur prej kësaj është më se normale që emigrantët të përfshihen në vendimmarrjen politike, dhe ju duhet të shprehni përmes votës tuaj mesazhin se ndryshimi në Shqipëri është i mundur.
Kështu deklaroi Erion Veliaj, Sekretari i PS për Rininë dhe Emigracionin, gjatë një takimi me emigrantët shqiptarë në ishullin e Rodos.
Veliaj, njëkohësisht kandidat për deputet i Partisë Socialistë për qarkun e Gjirokastrës, ka zhvilluar një seri takimesh me emigrantët shqiptarë që jetojnë në shtetin fqinj, Greqi, duke u ndalur dhe në kryeqytetin Athinë.
Veliaj deklaroi se shumica e emigrantëve bëjnë pjesë tek ata shqiptarë që e kanë parë me sytë e tyre sesi funksionon një shtet europian dhe kjo është arsyeja se pse Berisha u trembet atyre.
Emigrantët e duan Shqipërinë europiane, e dinë se çpamje do të kishte një Shqipëri e tillë, dhe sigurisht që Saliu nuk është pjesë e kësaj tabloje. Dhe prandaj kryeministri ynë në 8 vite nuk ka zhvilluar asnjë takim me emigrantët. Për këtë arsye ne kemi deklaruar gjithmonë se premtimet e Berishës për votën e emigrantëve janë gënjeshtra, sepse votat e tyre janë vota kundër Berishës. Gjithmonë jam habitur sesa shumë të informuar janë emigrantë rreth asaj që ndodh në Shqipëri. Ata i njohin shumë mire vështirësitë ekonomike që po kalon Shqipërinë, e dinë shumë mirë se vendi është buzë greminës dhe se katër vjet të tjera me Berishën në qeveri do të kishin pasoja katastrofike. Gatishmëria e tyre për të ardhur në Shqipëri vetëm e vetëm që të largojnë me vote Berishën është për tu admiruar e njëkohësisht burim frymëzimi për ne, tha Veliaj.