TemA TV/ PS: Berisha e ka shkatërruar mjedisin në mënyrë dramatike. As pushtuesit nuk kanë vepruar kështu (VIDEO)
Në ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit, Partia Socialiste ka akuzuar kryeministrin Berisha se e ka shkatërruar mjedisin gjatë qeverisjes së tij në mënyrë dramatike. Deputeti Besnik Bare ka thënë se verbëria e pushtetit për tu pasuruar, ka sjellë këtë gjendje në të cilën ndodhet aktualisht mjedisi në Shqipëri.
Edhe pse jemi vendi i dytë në Europë për nga pasuria ujore, edhe pse kemi pasur një biodiversitet shumë të pasur, situata sot është dramatike për sa i përket keqshfrytëzimit dhe shkatërrimit të këtyre vlerave. Shqiptarët janë dëshmitarë të dështimit të bujshëm të kryeministrit, të 100 dështimeve me mjedisin, mbrojtjen e bio-diversitetit në kuadër të garantimit të një zhvillimi të qëndrueshëm për ne sot e për fëmijët tanë nesër.
Verbëria e pushtetit dhe etja për përfitime ka vënë në rrezik si sasitë e ujërave por edhe larminë dhe pasuritë e shumta ujore të vendit tonë. Këto pasuri kombëtare janë shitur e plaçkitur si të ishin plaçkë lufte. As pushtuesit e huaj nuk janë sjellë kaq barbarisht me burimet natyrore shqiptare. Ne Krujën, Lurën, planet për diga tek kanionet Përmet Skrapar i quajmë shkatërrim, Saliu i quan zhvillim. Ky është ndryshimi i madh midis nesh. Kjo qeveri në këto 8 vite ka dështuar në mbrojtjen e natyrës sepse asgjë nuk është bërë për të mbrojtur pyjet, ligatinat, burimet ujore, lumenjtë, liqenet, lagunat dhe mjedisin në përgjithësi.
Ka vite që vihet re një shpyllëzim i egër, sepse druvarë politikë janë vënë të ruajnë mushkëritë e Shqipërisë. Sali Berisha premtoi rritjen e nivelit të zonave të mbrojtura, mbrojtjen e pyjeve nga prerjet pa asnjë kriter. Ndërkohë sot që po flasim Lura dhe mjaft zona të mbrojtura janë në gjendje dramatike. Eksporti i druve të zjarrit e qymyrit të drurit lulëzon në kurriz të kësaj pasurie natyrore të rrënuar. Dhe pema që nuk pritet, digjet. Vetëm në vitet 2007 dhe 2012 janë djegur rreth 100 mijë ha pyje. Rritja e sipërfaqeve të zhveshura nga bimësia ka shtuar rrezikun e erozioneve. Sot kemi erozionin më të lartë në Europë, 20 deri 40 t/ha në vit dhe situata përkeqësohet nga dita në ditë.
Lumenjtë, jo larg zyrës së kryeministrit pësojnë një shfrytëzim barbar. Po dëmtohen lagunat dhe liqenet. Rast simbolik është ai i Liqenit të Ohrit, nga më të vjetrit në botë dhe me shumë specie endemike. Një gjatësi prej 10 km e bregut të tij, është në rrezik nga hedhja e inerteve të nxjerra gjatë punimeve për rrugën. Po ndërhyhet në habitatin natyral të liqenit pa asnjë kriter e pa asnjë masë mbrojtjeje, ndërkohë që Korani është drejt zhdukjes së plotë. Lidhur me faunën e egër, situata është alarmante. Gjuhet jashtë zezonit, pa kriter dhe ka specie të zhdukura apo në rrezik zhdukje, ka thënë Baraj.
Deputeti socialist është shprehur se me ardhjen e PS-së në pushtet, situata do të ndryshojë në mënyrë rrënjësore.
Partia Socialiste do të mundësojë rehabilitim rrënjësor, mbrojtjen dhe zhvillim të qëndrueshëm në mbrojtje të mjedisit dhe pasurive natyrore. Ne do ndalojmë shfrytëzimin e lumenjve të tejpërdorur për nxjerrjen e inerteve dhe nxitjen e mundësive alternative. Do rishikojmë koncesionet për shfrytëzimin e lumenjve dhe lejeve të ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël në zonat që mbrohen me ligj dhe ku vlera e tyre natyrore duhet mbrojtur. Pyjet do rikthehen në mushkëri të Shqipërisë, duke shtuar sipërfaqet e mbjella, ndaluar prerjet pa kriter, parandaluar djegiet stinore dhe duke ringjallur parqet dhe zonat e mbrojtura.
Do nxisim me mekanizma ekonomik dhe shoqëror ndarjen dhe riciklimin e mbetjeve si dhe biznesin riciklues për të pastruar Shqipërinë dhe do ndalojmë importin e mbetjeve për të pastruar Shqipërinë. Në këtë fushatë në mbrojtje dhe rimëkëmbje të mjedisit, e cila do fillojë që nga dita e parë e qeverisjes tonë do përfshihet çdo shqiptar në transparence të plotë, sepse mjedisi dhe ruajtja e bio-diversitetit është detyrimi jonë ndaj brezave të ardhshëm, tha ai./b.l