Veliaj në Kiev, pritet nga Zelensky! Presidenti i Ukrainës: Mirënjohës për ndihmën

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vizituar Ukrainën këtë të premte. Lajmin e ka bërë me dije presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky, i cili ka deklaruar se ka pritur delegacionin e Asociacionit të Qyteteve Evropiane, që do të mbështesin punën për rindërtimin e qyteteve të shkatërruara nga bombardimet ruse.
“Jam i lumtur të mirëpres delegacionin e Asociacionit të Qyteteve Evropiane në Ukrainë. Ne e vlerësojmë që në këtë kohë të vështirë kur shteti ynë po lufton pushtimin rus, ju jeni afër nesh. Gjithashtu do të jemi mirënjohës për ndihmën në restaurimin e banesave, infrastrukturës dhe kushteve për kthimin e ukrainasve në atdheun e tyre. Me rëndësi që rindërtimi filloi jo pas luftës, por tani”, u shpreh Zelensky.
Bashkia e Tiranës do të ndërtojë një shkollë të re në qytetin e Kharkivit, në shenjë solidarizimi me popullin e Ukrainës që po përballet me shkatërrimin pas pushtimit rus. Po ashtu Shqipëria do të kontribuojë me 1 milion euro për Ukrainën, ndihmë për procesin e rindërtimit.
/rtsh.al/