E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Nafta dhe çmimet, ja ku ndodhet Shqipëria në raport me Europën! A ka abuzim?

Në Shqipëri prej kohësh vijon një debat i hapur që ka lidhje me mbikëqyrjen dhe orientimin për çmimin e karburanteve në treg, sidomos pas krizës së luftës Rusi-Ukrainë. Aktorë të politikës, por edhe të shoqërisë civile, përfshirë edhe ekspertë të fushës, akuzojnë për favorizim të subjekteve tregtare dhe importuese lidhur me çmimet në treg të produkteve hidrokarbure. Edhe pse ka një akt normativ që saktëson mekanizmin e llogaritjes së një litri naftë në shitjen me pakicë, përsëri ka mosbesim ndaj autoriteteve, lidhur me këtë mbikëqyrje të tregut.

Po si paraqitet gjendja e këtij produkti në tregun europian, referuar shteteve kryesore të Europës.

Televizioni Shqiptar ka ndjekur nga afër çmimet për produktet gasolinë, diesel dhe gaz LPG për një javë dhe ka parë luhatjet e çmimeve në këtë treg. Tabela në vijim është një përmbledhje mesatare e çmimeve për këto produkte për shtetet e listuar, duke filluar nga 15 gusht 2022. Vini re çmimet që shfaqen, të llogaritura në Euro dhe në monedhën shqiptare për të gjithë shtetet:

Për produktin Diesel, çmimi mesatar në Shqipëri për një javë ka qenë 1,88 Euro ose 221 lekë për litër. Çmim më të lartë se Shqipëria shfaqin Belgjika, Kroacia, Danimarka, Gjermania, Suedia dhe Anglia.

Shqipëria ka shënuar çmim më të ulët në këtë produkt se sa Spanja, Hungaria, Greqia, Italia, Hungaria, Austriam Bullgaria dhe të tjerë shtete.

Këto çmime janë çmimet në pompë të këtyre shteteve, por ajo që bën dallimin në kostot e këtyre produkteve është sistemi i taksimit. Në vendet europane dhe ato të rajonit, nafta taksohet me taksën e akcizës dhe ata të tatimit mbi vlerën e shtuar. Taksat e tjera, si ato të mjedisit, të qarkullimit apo edhe një sërë tarifash merren në agjencitë taksambledhëse dhe jo në çmimin e një litri karburant. Operatorët e tregut pohojnë se arsyeja e çmimit të lartë për njësi në Shqipëri lidhet me taksat e larta që shoqërojnë naftën dhe që paguhen nga çdo konsumator, sa herë ai blen një litër karburant. Niveli i taksave arrin në rreth mbi 60% të çmimit.

Si rregull i përgjithshëm, vendet e pasura kanë çmime më të larta ndërsa vendet e varfëra dhe vendet që prodhojnë dhe eksportojnë naftë kanë çmime dukshëm më të ulta. Dallimet në çmime në të gjithë vendet janë për shkak të taksave të ndryshme dhe subvencioneve për naftën. Të gjitha vendet kanë qasje në të njëjtat çmime të naftës në tregjet ndërkombëtare, por më pas vendosin të vendosin taksa të ndryshme. Si rezultat, çmimi me pakicë i naftës është i ndryshëm. Nëse zhvishet nga taksat dhe vihet në të njëjtin emërues me shtetet e tjerë, Shqipëria ka pothuajse të njëjtin nivel çmimesh apo edhe më të ulët të një litri karburant.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›