Veliaj në Kushtetuese, Berisha: Mbështes arrestimin, por dënoj shkeljen e procedurave ligjore

Dalja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, para Gjykatës Kushtetuese këtë të premte (31 tetor) nuk kaloi pa vëmendjen e opozitës.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se mbështet arrestimin e Veliajt, por dënon mënyrën se si janë ndjekur procedurat ligjore ndaj tij.
“Një nga protestat më të shkëlqyera dhe më të rëndësishme që ka bërë PD, dega e Tiranës, por edhe qytetarë të ardhur nga e gjithë Shqipëria, është protesta për arrestimin e Erion Veliajt. Një kryetar bashkie që ka firmosur mbi një incenerator 130 milionë euro dhe nuk i gjendet as nami, as nishani. Nuk është hetuar sepse mbi firmën e tij qëndron Edi Rama,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, Veliaj duhej të ishte hetuar prej kohësh për aferën e inceneratorëve, por drejtësia ka vepruar me standarde të dyfishta.
“Ne e kemi mbështetur dhe e mbështesim arrestimin e tij, dënimin e tij, por duhet të jemi të drejtë. Procedurat ligjore janë thelbësore për të drejtat e njeriut dhe për shtetin ligjor,” theksoi ai.
Berisha iu referua edhe zhvillimeve në Këshillin Bashkiak të Tiranës, duke kritikuar mënyrën e shpejtë të marrjes së vendimeve pas njoftimit për seancën në Kushtetuese.
“Në Këshillin Bashkiak u morën 9 vendime brenda një dite, si për të larë duart me mua. U lumtë këshilltarëve tanë që, ndonëse kishin një armik përballë, kërkuan me këmbëngulje që Veliaj të dëgjohej në sallën e këshillit. Procedura është përcaktuese për të drejtat e njeriut,” u shpreh kreu i PD-së.
Erion Veliaj doli sot para Gjykatën Kushtetuese për ankimin e bërë nga vetë ai, kundër vendimit të kryeministrit për shkarkimin e tij nga detyra, si dhe dekretit përkatës të firmosur nga Presidenti Bajram Begaj.
Sakaq Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e dekretit të presidentit për Bashkinë e Tiranës, bashki e cila drejtohej nga Erion Veliaj.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit që prej muajit shkurt të këtij viti, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për korrupsion dhe pastrim parash.
/rtsh.al/