Veliaj propozon shpalljen “Qytetarë Nderi” të Tiranës për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin

TIRANË, 19 shtator/ATSH/ Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka propozuar që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen “Qytetarë Nderi” të Tiranës, pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Në një deklaratë nga paraburgimi, Veliaj tha se vendimi ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së e ka “tronditur thellë”, ndërsa theksoi se procesi juridik duhet të vijojë sipas procedurave dhe standardeve të drejtësisë.
Gjykata Speciale në Hagë i dënoi më 16 shtator katër ish-krerët e UÇK-së me gjithsej 81 vite burgim. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet, Veseli me 18 vjet dhe Selimi me 13 vjet burgim. Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe mbrojtja ka paralajmëruar apelimin.
Veliaj deklaroi se nderimi i propozuar nga Tirana nuk synon të zëvendësojë drejtësinë me politikën apo të ndikojë në vendimmarrjen e gjykatës, por të shprehë mirënjohjen për atë që ai e cilëson si kontribut historik të katër ish-drejtuesve të UÇK-së në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.
“Për këtë arsye, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do t’i propozoj Këshillit Bashkiak që: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen Qytetarë Nderi të Tiranës”, shprehet Veliaj.
Ai u bëri thirrje edhe kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare që të ndërmarrin nisma të ngjashme, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike për Kosovën dhe luftën e saj për liri.
Në deklaratë, Veliaj foli edhe për situatën e tij personale, duke thënë se prej 19 muajsh ndodhet në izolim dhe pa mundësi reale për të ushtruar mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, ai theksoi se çështja e Kosovës dhe kujtesa për luftën e saj për liri janë më të mëdha se drama e tij personale.
“Tirana fatkeqësisht nuk mund t’ua japë dot lirinë. Por Tirana duhet t’i nderojë ata”, deklaroi Veliaj.
Në fund të deklaratës, ai u shpreh se procesi juridik ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së do të vijojë, ndërsa kujtesa historike, sipas tij, duhet të ruhet. “Procesi juaj juridik do të vazhdojë. Drejtësia do të ndjekë rrugën e saj. Por edhe kujtesa jonë do të ndjekë të vetën”, tha Veliaj.
/e.xh/a.f/