E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj sërish në Kushtetuese-Avokatët: Të shpejtohet vendimi për daljen nga burgu

Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i janë drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar përshpejtimin e shqyrtimit të kërkesës së tyre që kundërshton masën e arrestit me burg ndaj tij.

Sipas mbrojtjes, masa është antikushtetuese dhe po i shkakton dëme të drejtpërdrejta në ushtrimin e detyrës si kryebashkiak, ndaj ata kërkojnë që Kushtetuesja të caktojë një datë sa më të afërt për shqyrtimin e çështjes.

Kjo lëvizje vjen dy javë pasi Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që nga muaji shkurt, kërkoi shfuqizimin e vendimeve të gjykatave më të ulëta që kishin miratuar masën e arrestit.

Deri më tani, Kushtetuesja nuk ka përcaktuar një datë për shqyrtimin e padisë, ndonëse më herët ka vendosur në favor të Veliajt në një proces tjetër, duke e rikthyer në detyrë pas pezullimit të vendimit të Këshillit të Ministrave.

Gjatë së premtes, gjykata e posaçme shtyu për më datën 5 janar seancën paraprake për dosjen “Veliaj“, ku për shkak të alrgimit të avokatit Gjermeni, togat e zeza caktuan një avokate kryesisht për kryebashkaikun.

Veliaj akuzohet për disa vepra penale: pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt të këtij viti, pasi Gjykata e Posaçme firmosi masën e arrestit me burg të kërkuar më parë nga SPAK.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›