E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Veliaj shuan zërat për ‘përplasje’ me Ramën për shkarkimet në bashki: Kam firmosur një ridelegim, nuk e dija që nuk ishte dakordësuar me ekipin

Kryebashkiaku i Tiranës ka reaguar nga burgu për atë që është cilësuar si “përplasja” brenda llojit, pas vendimit për emërimin e kryetares së komanduar  Sara Goxhaj në vend të Anuela Ristani.

Sipas Veliajt, ka qenë keqkuptim pasi ai ka firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues.

Veliaj: U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh.

E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.

E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.

E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›