Veliaj takim me Forumin e Gruas në Kavajë: Vetëm duke ecur përpara gjërat mund të bëhen më mirë

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me Forumin e Gruas në Kavajë, ku vuri në dukje se qyteti ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm nën drejtimin e kryetarit Redjan Krali, i cili kandidon për një mandat tjetër në 14 Maj.
Veliaj tha se Kavaja ka zgjedhur të ecë përpara me Partinë Socialiste dhe nuk mund të kthehet më mbrapa.
“Pyetja është se çfarë vendimi do marrim pas 10 ditësh? Do shkojmë mbrapa apo do të vazhdojmë përpara? Më kujtohet Kavaja kur plehrat ishin mullar. Sa hyje në qytet më shumë shikoje tufa me qen, se njerëz. Qyteti s’kishte ndriçim, ishte si një xhep, ku njerëzit shihnin vetëm tabelat, hyrjen në jug, hyrjen në veri. Kurse sot Kavaja është më e pastër dhe ky është fakt! Është më e ndriçuar dhe ky është fakt! Është më e asfaltuar dhe ky është fakt! Është më e frekuentuar dhe ky është fakt! Ka më shumë biznese dhe ky është fakt! Ka më shumë turistë dhe ky është fakt! Asnjëherë nuk mjafton, por vetëm duke ecur përpara gjërat mund të bëhen më mirë”, u shpreh ai.
Veliaj theksoi faktin se në këto 4 vjet, të cilat nuk ishin aspak të lehta për shkak të tërmetit dhe pandemisë, kundërshtarët që kërkojnë votat sot, e braktisën detyrën dhe nuk ndihmuan askënd.
“Kemi përballë disa njerëz që nuk i pamë për 4 vite dhe këto vite nuk ishin dosido: Ikën nga Parlamenti, ikën nga këshillat bashkiakë, ikën nga gara për bashkinë. Mund të kishin dhënë një pako ushqimesh, mund të kishin ndërtuar një shtëpi, se gjersa kanë para për stadiumin “Arena Kombëtare”, gjersa kanë para për gjithë ato ekrane, gjersa kanë para për gjithë ato lukse, gjersa kanë para për gjithë ato parada makinash, nuk kishin këta para për një shtëpi? Nuk kishin këta mundësi të ndihmonin një fukara? Të shërbenin një pjatë supë? Nuk e bënë! 4 vjet morën mungesë. Ne votat i kemi vetëm për Redin dhe Partinë Socialiste sepse ai nuk iku, nuk I bishtnoi detyrës, nuk u shmang, nuk u dorëzua, nuk u tërhoq”, deklaroi Veliaj.
Ai gjithashtu tha se opozita e kërkon bashkinë e Kavajës për të përdorur administratën e saj për të mbushur sheshet e protestave në Tiranë e për të rrëzuar qeverinë. Më tej, ai tha se KQZ nuk i dha fonde Berishës dhe Metës, pasi ata nuk kanë as vulë, teksa shtroi pyetjen se me çfarë parash po e bëjnë ata fushatën.
/rtsh.al/