Veliaj thirrje demokratëve: Mos shihni teserën e partisë, por mirëqenien e fëmijëve tuaj

Kandidati i Partisë Socialiste dhe njëherësh kryetari aktual i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj iu ka bërë thirrje demokratëve dhe mbështetësve të Partisë së Lirisë që të mos shohin teserën e partisë por mirëqenien e fëmijëve të tyre.
“Nëse jeni demokratë, të LSI-së, apo partive të tjera, ejani te shtëpia jonë se kjo është e vetmja shtëpi që gëzohet kur shtohet. Ajo është një shtëpi që gëzohet kur pakësohet. Për çdo demokrat përgjigja ime e sinqertë është kjo: Mos shihni teserën e partisë, shihni fëmijët tuaj!
Nëse fëmijët tuaj, falë punës së Blerim Sherës, shkojnë në një kopësht më të mirë, votoni për fëmijën tuaj se po votuat për fëmijët keni votuar edhe Blerim Sherën dhe Partinë Socialiste. Nëse çunat dhe gocat e Vorës shkojnë në një shkollë 9-vjeçare më të mirë, mos votoni për parti dhe tesera. Votoni për çunat dhe gocat tuaja.
Mos i shihni teserat e partisë, por nëse i keni fëmijët në gjimnaz dhe nëse gjimnazi sot është më i mirë, nëse është më cilësor, nëse është ngritur më i bukur, më i madh, më i fortë mos shihni teserën e partisë. Po votuat për gjimnazistët tuaj, keni votuar edhe për Blerim Sherën dhe Partinë Socialiste”, është shprehur Veliaj nga Vora gjatë takimit me mbështetësit socialistë.
Veliaj bëri thirrje që qytetarët e bashkisë së Vorës të votojnë për kandidatin e Partisë Socialiste Blerim Shera, i cili sipas tij, ka realizuar deri më tani projekte konkrete për këtë zonë.
“Nëse keni humbur shtëpinë gjatë tërmetit dhe sot po ndërtohet një lagje komplet e re, përveç shtëpive individuale, mos i shikoni teserën tullës, çatisë, derës dhe dritares. Nëse shtëpia që është ndërtuar sot rikuperoi atë që humbët prej tërmetit, votoni për shtëpinë tuaj se po votuat për shtëpinë tuaj të re pas tërmetit keni votuar për Blerim Sherën dhe Partinë Socialiste.
Nëse sot Vora është më e ndriçuar, nëse është më e gjelbëruar, nëse Vora ka më shumë institucione, nëse po kalon edhe treni që na lidh me Tiranën, me Rinasin dhe Durrësin, votoni këto projekte se janë votë për Blerim Sherën dhe Partinë Socialiste”, ka theksuar Veliaj.
/rtsh.al/