Veliu: Kontratat e KAYO-s me kompanitë private janë transparente

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Administratori i kompanisë shtetërore KAYO, Ardi Veliu, tha sot se aktiviteti dhe kontratat e shoqërisë janë transparente dhe të aksesueshme për publikun, përveç elementeve që lidhen me sekretin shtetëror.
Gjatë një konference për mediet, i pyetur nga gazetarët në lidhje me transparencën e marrëdhënies me kompanitë private, Veliu sqaroi se kontratat e lidhura janë publike dhe mund të verifikohen nga çdo qytetar përmes Qendrës Kombëtare të Biznesit.
“KAYO është shoqëri aksionare me kapital shtetëror e cila është krijuar me një ligj të veçantë në funksion të rivitalizimit të industrisë ushtarake, por edhe të kontributit për modernizmin e forcave të Armatosura dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit nëpërmjet saj ose nëpërmjet bashkëpunimit të partneritetit publik vendas ose të huaj.
“Në çdo rrethanë që ne kemi kontribuar, të gjitha kontratat tona janë transparente, janë publike, çdonjëri mund të navigojë tek Qendra Kombëtare e Biznesit dhe të shohë kontratat që ne kemi lidhur. Gjithçka është transparente dhe nuk ka asnjë arsye që ne kemi qëllim në vetvete të fshehim kontratë. Nëse ka të bëjë për një element të veçantë, për një kontratë, të cilat janë pjesë e rregullimit me akte të veçanta për të ruajtur sekretin shtetëror, ne nuk mund të futemi me detaje, por kontratat në tërësinë e vet janë tepër transparente”, tha Veliu.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi nënvizoi se disa të dhëna nuk mund të publikohen për shkak të natyrës së tyre sensitive.
Sipas Nufit, kontratat që lidhen me prodhimin e pajisjeve ushtarake, municioneve dhe teknologjisë, mbartin jo vetëm sekret shtetëror, por edhe sekret tregtar, çka e bën të domosdoshëm kufizimin e aksesit publik në disa raste.
“Është e domosdoshme transparenca sa i përket kontratave në Ministrinë e Mbrojtjes. Është e kuptueshme, sa kohë bëhet fjalë për prodhimin pajisjeve ushtarake, e municioneve, e mjeteve teknologjike, që mbartin në vetvete jo vetëm sekretin shtetëror, por edhe tregtar, është e mirëkuptueshme që disa nga këto elemente, nuk mund të jenë të hapura për publikun, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të jenë të hapura për hetimin, nga kushdo që do të vijë të shohë përmbajtjen e tyre, në përputhje me certifikatën e sigurisë që mban apo me tagrin ligjor që mban kur kërkon një informacion të tillë”, tha Nufi.
/m.q/r.e/a.f/