E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllai: Arben Frroku do kandidojë për deputet, deri në datën 5 Maj do jetë liruar

TIRANE - Arben Frroku, i dyshuari kryesor i prokurorisë për Krime të Rënda, për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, është në listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Një fakt të tillë e konfirmon i vëllai, Mark Frroku. “Arbeni është në listën e kandidatëve për deputetë. Regjistrimi do të bëhet sipas ligjit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, brenda afatit të përcaktuar, që është data 5 maj. Siç dihet, Arbeni do të kandidojë në qarkun Shkodër, nën siglën e Partisë Kristian Demokrate”, - tha Mark Frroku për “GSH”. 

Fakti që biznesmeni Frroku ndodhet prapa hekurave, pas dyshimeve të forta për vrasjen e kryekomisarit me të cilin kishte pasur konflikte të mëparshme, nuk e pengon aspak për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, pasi ai nuk është i dënuar dhe prezumohet i pafajshëm. Arben Frroku, në momentin kur u vu në pranga në Selanik të Greqisë, aderonte si kandidat për deputet në qarkun e Shkodrës, nën siglën e Partisë Kristian Demo-krate të Shqipërisë. “Strukturat e Partisë kanë vendosur që të kandidojnë Arbenin, që me shumë gjasë deri më datë 5 maj do të jetë i lirë. Por nëse nuk ndodh një gjë e tillë dhe shteti do të vijojë ta mbajë në burg dhunshëm, atëherë në listën e deputetëve në qarkun Shkodër, nën siglën e PKDSH–së do të jem unë. Ne mbetemi kristian demokratë të pastër”, - theksoi Mark Frroku. 

Në një intervistë nga burgu “Dhiavata”, Selanik, Arben Frroku u shpreh se është pjesë e politikës. “Unë e vazhdoj politikën nga burgu, vijoj të bëj fushatën time”, - theksoi ai. Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë, me kryetar Dhimitër Muslinë, është në koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste. Në një reagim për mediat, pas arrestimit të Arben Frrokut, ndër të tjera Muslia deklaroi se partia e tij ka qenë prezente në koalicionin e majtë, pasi e sheh rotacionin politik në kushtet aktuale, një domosdoshmëri. 

REKURSI
Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë për Arben Frrokun, pasi dyshohet për akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda nuk e mori në shqyrtim apelin e bërë nga avokati i Frrokut, me argumentin se mbrojtësi ligjor nuk legjitimohet, çka i hapi rrugë rekursit në Gjykatën e Lartë. Duke paraqitur të njëjtat argumente si në krye të herës, avokati kërkon nga gjykata supreme prishjen e vendimit për caktimin e masës së sigurisë, çka do t’i hapte rrugë lirimit të menjëhershëm të biznesmenit Frroku. Kryekomisar Dritan Lamaj u ekzekutua mbrëmjen e 24 shkurtit 2013 në zonën e “Vasil Shantos” në Tiranë, pak metra larg shtëpisë së tij. Dy persona që udhëtonin me një makinë tip “BMW”, që rezultoi të ishte vjedhur në Durrës, e qëlluan për vdekje me armë kallashnikov. 24 orë pas vrasjes së kryekomisarit, policia greke arrestoi në një hotel në Selanik, Arben Frrokun dhe Jak Jakun, si të dyshuar për ngjarjen. Biznesmeni Frroku kishte udhëtuar drejt Greqisë natën e vrasjes së Lamajt dhe sipas prokurorisë, ai është i dyshuari kryesor për krimin, për shkak të përplasjeve që ka pasur me zyrtarin e lartë të policisë, në kohën kur i ndjeri drejtonte Komisariatin nr.6 në Tiranë. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›