Vëllai i Frrokut: Arbeni do lirohet brenda 5 majit, kandidon për deputet
Tiranë- Arben Frroku, i dyshuari kryesor i prokurorisë për Krime të Rënda, për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, është në listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013.
Një fakt të tillë e konfirmon i vëllai, Mark Frroku. Arbeni është në listën e kandidatëve për deputetë. Regjistrimi do të bëhet sipas ligjit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, brenda afatit të përcaktuar, që është data 5 maj. Siç dihet, Arbeni do të kandidojë në qarkun Shkodër, nën siglën e Partisë Kristian Demokrate, – tha Mark Frroku për GSH.
Fakti që biznesmeni Frroku ndodhet prapa hekurave, pas dyshimeve të forta për vrasjen e kryekomisarit me të cilin kishte pasur konflikte të mëparshme, nuk e pengon aspak për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, pasi ai nuk është i dënuar dhe prezumohet i pafajshëm. Arben Frroku, në momentin kur u vu në pranga në Selanik të Greqisë, aderonte si kandidat për deputet në qarkun e Shkodrës, nën siglën e Partisë Kristian Demo-krate të Shqipërisë. Strukturat e Partisë kanë vendosur që të kandidojnë Arbenin, që me shumë gjasë deri më datë 5 maj do të jetë i lirë. Por nëse nuk ndodh një gjë e tillë dhe shteti do të vijojë ta mbajë në burg dhunshëm, atëherë në listën e deputetëve në qarkun Shkodër, nën siglën e PKDSHsë do të jem unë. Ne mbetemi kristian demokratë të pastër, – theksoi Mark Frroku.
Në një intervistë nga burgu Dhiavata, Selanik, Arben Frroku u shpreh se është pjesë e politikës. Unë e vazhdoj politikën nga burgu, vijoj të bëj fushatën time, – theksoi ai. Partia Kristian Demokrate e Shqipërisë, me kryetar Dhimitër Muslinë, është në koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste. Në një reagim për mediat, pas arrestimit të Arben Frrokut, ndër të tjera Muslia deklaroi se partia e tij ka qenë prezente në koalicionin e majtë, pasi e sheh rotacionin politik në kushtet aktuale, një domosdoshmëri.
/Gazeta Shqiptare/Balkanweb/