Vëllai i Kuliçaj vrau një vajzë në Irlandë, prokurori: Në Shqipëri vrasësit lirohen për një grusht parash
Vëllai i Artur Kuliçaj, personit që akuzohet për vrasjen e balerinës Sonila Tafaj, Eduard Kuliçaj, është dënuar në Irlandë për vrasjen e një vajze 23-vjeçare në vitin 2003.
Lindita Kukaj ishte njohur me Eduard Kuliçajn dhe me disa shqiptarë të tjerë në qytetin Sligos të Irlandës, ndërsa një mbrëmje kishte dalë pikërisht me Kuliçajn dhe një shokun e tij.
Kur ishin kthyer në banesë, Kuliçaj kishte kërkuar të flinte me të, raporton Shekulli, por vajza kishte refuzuar dhe për këtë arsye ai e kishte mbytur me duar. Ishte shoku i Kuliçajt që më pas njoftoi policinë, e cila bëri të mundur arrestimin e tij.
Kuliçaj kishte shkuar në Irlandë me një grup tjetër nga Puka, si besimtar nga Kisha Katolike. Dy vjet pas krimit ai u dënua me burgim të përjetshëm.
Prokurori i çështjes shkoi edhe në Tropojë për hetime dhe refuzoi në mënyrë kategorike kërkesën që Kuliçaj të vuante dënimin në Shqipëri, pasi sipas tij, vrasësit aty lirohen për një grusht parash. Prokurori përmendte edhe lidhjet e forta të Kuliçajt në Shqipëri.
Autori kishte lidhje të forta në vendin e tij dhe se drejtësia e vendit të tij është aq e korruptuar sa për një grusht parash, vrasësi i Linditës mund të fitojë lirinë, tha prokurori para gjykatës irlandeze./b.l